Shtyhet seanca në rastin e kompanisë që kërkon anulimin e vendimit të KPMM-së për gjobën prej mbi 22 mijë euro

Gzime HASHANI - PALLATI
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Tetor 14, 2019

Prishtinë – Me kërkesën e palës paditëse, është shtyrë seanca në rastin ku kompania “Sa- Sallahu”, po kërkon anulimin e vendimit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).

Sipas padisë, KPMM- ja, më 19 tetor 2016, kishte lënë në fuqi vendimin me të cilin tani paditëses, i kishte shqiptuar gjobë administrative në lartësi prej 22,247.03 euro, për shfrytëzimin ilegal të resurseve minerale, raporton “Betimi për Drejtësi”

Lidhur me këtë rast të hënën ishte paraparë të mbahej seanca përgatitore, por që pala paditëse përmes parashtresës kishte kërkuar shtyrjen e saj.

Ndryshe, kompania “Sa – Sallahu”, më 30 nëntor 2016, kishte ushtruar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamentin për Çështje Administrative, me të cilën kishte kërkuar nga kjo gjykatë anulimin e vendimit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).

Në padi thuhet se KPMM- ja kishte lënë në fuqi vendimin me te cilin paditëses i kishte shqiptuar gjobë administrative mbi 22 mijë euro, për ushtrimin e aktivitetit ilegal të resurseve minerale.

Por, një vendim të tillë po e kundërshton paditësja me pretendimin se në ditën e inspektimit nuk kishin qenë punëtorët e kësaj kompanie që kishin operuar dhe se mjetet e punës, të cilat janë të cekur në aktvendim, nuk janë pronë e paditëses.

Sipas padisë, kompania “Sa- Sallahu” nuk operon fare në atë zonë, dhe personi i kontaktuar me rastin e inspektimit, nuk është punëtor i kësaj kompanie.

Me pretendimin se janë shkelur dispozitat e procedurës administrative, është vërtetuar gabimisht gjendja faktike dhe është zbatuar gabimisht e drejta materiale paditësja po kërkon anulimin e këtij vendimi. /BetimipërDrejtësi