SHTYHET SEANCA NË RASTIN E DREJTORIT TË JUGOBANKËS PËR DALLAVERET ME SHITJEN E PRONAVE

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, ishte paraparë të fillojë gjykimi ndaj drejtorit të Jugobankës Drashko  Knezheviq dhe referentit të ish-Gjykatës Komunale në Gjilan, Eroll Imami, për keqpërdorim të pozitës zyrtare, por seanca nuk është mbajtur.

Seanca është shtyrë sepse mbrojtësi i të akuzuarit Drashko Knezheviq, avokati Halil Palaj, me parashtresë të 8 marsit 2016, ka kërkuar që seanca e së mërkurës të shtyhet për një datë tjetër pasi që i mbrojturi i tij është i sëmurë dhe pas tretmanit spitalor, gjendet në tretman rehabilitimi në “Vrnjačka Banja” për një muaj.

Kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, pasi ka konstatuar se nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor, ka marrë vendim që i njëjti të shtyhet për 17 maj 2016. Në këtë seancë ishte paraparë që të dëshmonte përfaqësuesi i AKP-së, Ilmi Miftaraj dhe ish-Kryetar i Gjykatës Komunale të Gjilanit, Mursel Ahmeti.

Në fund të vitit 2013, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve Drashko Knezheviq dhe Eroll Imami, të parin e akuzon se duke qenë drejtor i “Jugobanka”, ka nënshkruar kontratë, me të cilën ia shet Raif Halilit nga Gjilani, objektin afarist të “Jugobankës” në Gjilan, megjithëse një të drejtë të tillë, sipas organit të akuzës, e ka pasur vetëm AKP-ja.

Ndërsa Eroll Imamin e akuzon se duke kryer detyrën e referentit në ish-Gjykatën Komunale të Gjilanit, ka vërtetuar kontratën e lidhur në mes Drashko Knezheviqit dhe Raif Halitit, për blerjen  e pronës, megjithëse më 5 janar 2010 kishte pranuar një shkresë nga AKP-ja me të cilën ndaloheshin vërtetimet e kontratave, në të cilat, lëndë e qarkullimit ishte prona me të cilën menaxhonte AKP-ja.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë