SHTYHET SEANCA NË RASTIN E DOGANIERIT PËR KEQPËRDORIM TË DETYRËS ZYRTARE
Raporton: Lutfi MORINA
Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, të mërkurën, ishte paraparë të mbahej seanca e radhës ndaj Ilaz Kapllanit, i cili akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, por e njëjta nuk është mbajtur sepse Kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi kishte një rast vdekje në familje.
Gjykatësja Kimete Kicaj ka pritur palët dhe i ka njoftuar se nuk ka kushte për të mbajtur këtë seancë sepse Kryetarja e trupit gjykues, ka rast vdekje në familje, andaj të njëjtën e ka shtyrë për 19 prill 2016, në ora 13:00.
Më 17 qershor 2015, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Ilaz Kapllani, të cilin e akuzon se më 28 mars 2014, rreth orës 23:00, duke qenë në orar të punës si zyrtar doganor, me qëllim të përfitimit material për vete, i mundëson të dëmtuarit V.G. që të kalojë kontrollin doganor të mallrave që kishte në automjetin e tij “Transporter – Pick-up” dhe në vend të pagesës për doganën e mallrave të përcaktuar me ligj, ai në emër të doganës i kërkon atij shumën e parave prej 165 Euro.