SHTYHET SEANCA NDAJ ZYRTARËVE TË MINISTRISË SË DREJTËSISË, SHKAKTAR PENSIONIMI I PROKURORIT SPECIAL

Raporton: Adem KRASNIQI

Prishtinë – Shqyrtimi gjyqësor i paraparë të mbahet të premtën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj gjashtë të pandehurve Besnik Dërmaku, Hidajete Sadiku, Naim Krasniqi, Kushtrim Muqolli, Shkëlqim Osmani dhe Agim Beqiraj u shty për shkak se prokurori Suad Kuraja kishte dal në pension dhe Prokuria Speciale e Republikë së Kosovës, nuk ka arritur që lëndën t’ia transferoj një prokurori tjetër.

Gjyqtarja Afërdita Bytyqi shpërfaqi problemet që i ka me PSRK-në. “Gjatë bisedës me përfaqësuesit e Prokurorisë Speciale, më kanë treguar që prokurori Kuraja ka dal në pension dhe të njëjtit nuk më kanë ofruar kurëfarë zgjidhje. Kam praktikë të hidhur me ta. Si pasojë më duhet ta shtyjë seancën për një ditë tjetër”, tha gjykatësja Bytyqi.

Sipas aktakuzës, në pikën e parë të pandehurit Dërmaku, Sadiku dhe Krasniqi, ngarkohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Sipas aktakuzës,për të njëjtit ekziston dyshimi i bazuar se në peridhën kohore nga 22 nëntori 2008 e der më 31 dhejtor 2010, duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë në Ministrinë e Drejtësisë në Prishtinë, Besnik Dërmaku si Drejtor i Departamentit të Prokurimit, Hidajete Sadiku si zyrtare e Lartë e Prokurimit dhe Naim Krasniqi si zyrtarë i Transportit, me qëllim të shkaktimit të dëmit për buxhetin e Ministrisë së Drejtësisë dhe përfitimit të dobisë pasurore për vete duke i favorizuar në tenderë të ndryshëm operatorët ekonomik: “Albus”, “PBC-Kosova”, “Lesna”, “Getoari dhe Dreni Inginiering” dhe “Auto Kaqandolli, kanë keqërërdorur pozitën zyrtare, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Ministrisë së Drejtësisë në shumën prej 10.080 euro.

Pika e dytë e aktakuzës të pandehurit Kushtrim Muqolli, Shkëlqim Osmani dhe Agim Beqiraj i ngarkon me veprën penale Keqpërdorimi i Autorizimeve Ekonomike.

Për të pëndehurin Muqolli, ekziston dyshimi i bazuar se si përfaqësues i operatorit ekonomik “Albus”, me qëllim  të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe për operatorin ekonomik “Albus” me rastin e kësaj kompanie në aplikimin për tender për furnizim me toner për Ministrinë e Drejtësisë, ka prezentuar ofertë të rreme duke plotësuar rubrikat e aplikacionit dhe specifikacionet e tonerëve, për të cilët Ministria e Drëjtësisë nuk i ka përfshirë në listë fare, vetëm për ta fituar tenderin.

Ndaj të pandehurit Osmani ekziston dyshimi i bazuar se duke vepruar si ekspert në kuadër të kompanisë “Vizion Projekt” nga Prishtina, si kompani mbikëqyrëse e punëve të kryera nga ana e kompanisë “Lesna”, gjatë ndërtimit të objektit për dëshmitar të mbrojtur në Dubravë, me qëllim të realizimit  të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për organizatën “Vision Projekt” dhe kompaninë “Lesna”, ka raportuar se punët janë kryer sipas planit dinamik të caktuar nga Ministria e Drejtësisë e që sipas gjendjes faktike deri atëherë ishin kryer vetëm gjysma e punëve. Në bazë të këtij raporti, Ministria e Drejtësisë i ka paguar operatorit ekonomik “Lesna” shumën prej 1.492.975 euro. Kësisoji i pandehuri Osmani i ka shkaktuar dëmë Mnistrisë së Drejtësisë, duke i mundësuar të përfitoj kompasnia “Lesna” edhe pse e njëjta asnjëher nuk është penalizuar për vonesat në kryerjen e punëve.

Ndaj të pandehurit Beqiraj ekziston dyshimi i bazuar se duke vepruar si inxhinier i kompanisë “Lesna”, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për kompaninë “Lesna”, ka përpiluar dokumente të rrejshme. I pandehuri Beqiraj ka shënuar në ditarin e punës  së paku 105 ditë, si ditë që nuk kanë punuar punëtorët për shkaqe atmosferike apo festave të ndryshme edhe pse sipas raportit të burgut të Dubravës, punëtorët e kësaj kompanie kishin punuar gjatë këtyre ditëve. Në këtë mënyrë i pandehuri Beqiraj i ka mundësuar kompanisë “Lesna” të arsyetoj vonesat për kryerjen e punëve në afatet e caktuara. Me këtë rast i është shkaktuar dëm Ministrisë së Drejtësisë dhe përfitim të kundërligjshëm opertorit ekonomik “Lesna” në shumën prej 22.863.56. euro.

Seanca e radhës u caktua më 10 maj 2016, në ora 9:30.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë