SHTYHET SEANCA NDAJ VËLLEZËRVE ZEFI PËR LËNDIM TË RËNDË TRUPOR

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Shqyrtimi gjyqësor kundër vëllezërve Ardian Zefi, Seb Zefi dhe Shën Zefi, i paraparë të mbahet të enjten, është shtyer për një datë tjetër. Kjo për arsye se në këtë seancë munguan dy nga tre të akuzuarit për  lëndim të rëndë trupor. I pandehuri Shën Zefi deklaroi se vëllau i tij Ardian Zefi gjendet jashtë vendit, ndërsa për vëllaun tjetër Seb Zefi tha që gjendet në punë dhe nuk e di nëse e ka pranuar ftesën apo jo. Madje, në këtë shqyrtim gjyqësor munguan edhe të dëmtuarit Leonel Misini dhe Syl Misini.

Me këtë rast, për shkak të mos plotësimit të kushteve ligjore për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor, seanca e rradhës u caktua për datë 13 qershor 2016 në ora 13:30.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj më 5 dhjetor 2013 ngarkon të akuzuarit Ardian Zefi, Seb Zefi dhe Shën Zefi për shkak të veprës penale “lëndim i rëndë trupor”. Sipas aktakuzës, me datë 25 qershor 2013 rreth orës 03:00 në Ferizaj, pas një mosmarrëveshjeje lidhur me problemin e shitblerjes së automjetit me të dëmtuarit Leonel dhe Syl Misini, pas një zënke verbale, në bashkëkryerje i kanë sulmuar fizikisht, në atë mënyrë ku fillimisht i pandehuri Ardian Zefi e ka goditur të dëmtuarin Syl Misini me grusht në fytyrë e më pas i mituri Petrit Zefi e ka goditur dy herë me thikë në shpinë të dëmtuarin Arian Fazliu duke i shkaktuar lëndim të lehtë trupor. Në anën tjetër i pandehuri Seb Zefi e ka goditur po ashtu dy herë me thikë në shpinë të dëmtuarin Leonel Misini, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë