Shtyhet seanca ndaj të akuzuarit për vjedhje të rëndë

Suhareka
Author

Raporton: Flutura Rraqi

Prill 8, 2021

Suharekë – Është shtyrë për në muajin maj, seanca gjyqësore ndaj të akuzuarit Dardan Rexhepi i cili nga Prokuroria Themelore në Prizren, po akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhje rëndë” nga neni 327 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 i KPRK-së.

Për të akuzuarin Rexhepi, nga shërbimi postar gjykata është informuar se i njëjti gjendet në fshatin Bardhosh- Devetjugoviq.

Në seancë nuk ka prezantuar as mbrojtësi i tij avokati Fanol Krasniqi, i cili pavarësisht se ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt, mungesën nuk e ka arsyetuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të pranishëm në seancë kanë qenë prokurori Petrit Kryeziu si dhe përfaqësuesi i të dëmtuarës “Vala” Telekomi i Kosovës, Sami Thaqi.

Në këto rrethana, gjyqtari i çështjes Lavdim Bajraktari ka shtyrë seancën e sotme për 12 maj 2021, në ora 9:00.

Në bazë të aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, Dardan Rexhepi po akuzohet se më 6 mars 2014 rreth orës 21:40, në fshatin Tërrnje të Komunës së Suharekës, i akuzuari Rexhepi me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete, vjedh në fshatin Tërrnje në repetitorin (antenën) e kompanisë së telefonisë “Vala”, në atë mënyrë që duke shfrytëzuar mos prezencën e të dëmtuarit, me forcë hap kontejnerin, hynë brenda, ku edhe merr katër bateri të kuadrit transmetues me kapacitet 10 ah 12 V si dhe 700 litra naftë dhe largohet nga vendi i ngjarjes.

Me ketë veprim, akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhje e rëndë” nga neni 327 paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 i KPRK-së. /BetimipërDrejtësi