Shtyhet seanca ndaj të akuzuarit për mashtrim dhe legalizim të përmbajtjes së rremë

Gjakove
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Tetor 10, 2019

Gjakovë – Mungesa e të akuzuarit për mashtrim dhe legalizim të përmbajtjes së rremë, Irfan Roka, mbrojtësit të tij, avokatit Ergjyment Barbullushi, dhe të dëmtuarit Merkur Zhubi ka bërë që të dështojë seanca e paraparë për të enjten, në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

Sipas gjykatëses Ilirjana Hoti, i akuzuari dhe i dëmtuari kanë qenë të ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Barbullushi përmes një parashtrese e ka njoftuar gjykatën se nuk mund të jetë prezent për shkak se është i angazhuar në një seancë tjetër, duke kërkuar që kjo seancë të shtyhet.

Seanca e radhës është caktuar që të mbahet më 31 tetor, në ora 10:00.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 2 prill 2019, Irfan Roka po akuzohet se më 1 shtator 2016, në rrugën “Nënë Tereza” në Gjakovë e ka vënë në lajthim organin kompetent, përkatësisht noteren Flutura Zajmi.

Siç thuhet në aktakuzë, rasti ka ndodhur në atë mënyrë që në një dokument publik, me autorizim, paraqet të dhëna të pavërteta me qëllim që të vërtetohej një çështje e pavërtetë, dhe atë pastaj ta paraqes si provë në një çështje ligjore në atë mënyrë që autorizimin e 20 gushtit 2016, të cilin gjoja e kishte marrë nga Ratko Stepanoviq, të përpiluar tek noter Vuqkoviq Branislav në Mal të Zi, lidhur me shitjen e një paluajtshmërie në Gjakovë, e legalizon tek noterja Flutura Zajmi, duke e vënë të njëjtën në lajthim me qëllim që këtë dokument pastaj ta përdorë si dëshmi në procedurë ligjore së bartjes së pronësisë në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër.

Për këtë, sipas aktakuzës po akuzohet se ka kryer veprën penale “legalim i përmbajtjes së pavërtetë” nga neni 403 parag.1 të KPRK-së.

Gjithashtu, ai po akuzohet se me datë, kohë dhe vend të njëjtë si në pikë e parë të dispozitivit të kësaj aktakuze, e mashtron dhe e vë në lajthim të dëmtuarin Merkur Zhubi, në atë mënyrë që me anë të paraqitjes së fakteve të rreme, se kinse ka autorizim për shitjen e paluajshtmërisë nga pronari Ratko Stepanoviq, ashtu që si i autorizuar lidh kontratë për shitblerje të paluajtshmërisë me të dëmtuarin Zhubi, duke ia shitur parcelën që gjendet në Komunën e Gjakovës, tek vendi i quajtur “Kodra e Vraniqit”, me sipërfaqe prej 19337 metra katrorë, me shumë prej 40,000 euro, i cili autorizim pas hetimit nga ana e njësitit për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit ka rezultuar se ka qenë i falsifikuar, pasi që pronari Stepanoviq kishte vdekur më 22.11.2007.

Për këtë, po akuzohet se ka kryer veprën penale “mashtrimi” nga neni 335 parag.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi