Shtyhet seanca ndaj të akuzuarit për korrupsion me kërkesë të avokatit
Raporton: Verona KADRIU
Ferizaj – Seanca e paraparë të mbahej të mërkurën në ora 13:00, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, kundër Nebih Jasharit i akuzuar për veprën penale “shpërdorimi i pozitës zyrtare apo autorizimit”, nuk u mbajt.
Kryetari i trupit gjykues Ibrahim Idrizi, tha se mbrojtësi i të akuzuarit Jashari, avokati Avni Ibrahimi ka kërkuar nga Gjykata që kjo seancë të shtyhet për të enjten më 22 shtator 2016, kërkesë kjo e aprovuar nga gjyqtari Idrizi. Në seancën e radhës palët do të paraqesin fjalën përfundimtare.
Sipas aktakuzës së ish-Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë, i pandehuri Nebih Jashari akuzohet për veprën penale “shpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar”, sepse si drejtor i NSH “Eurometal”, me seli në Ferizaj, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme ka shpërdorur pozitën zyrtare dhe ndërmarrjes “Eurometal” i ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm material. Veprën penale i pandehuri e ka kryer në atë mënyrë që si drejtor i kësaj ndërmarrje ka paraqitur në kontabilitet fatura të rrejshme për furnizim me repromaterial – llamarinë dhe ka përvetësuar shumën në vlera të mëdha.