SHTYHET SEANCA NDAJ TË AKUZUARIT NEXHAT XHAFA, MUNGON DËSHMITARI

Raporton: Arbelina DEDUSHAJ

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të premtën, është shtyrë shqyrtimi gjyqësor ndaj Nexhat Xhafës, i akuzuar për tre vepra penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ”trafikim me njerëz” dhe ”sulm”.

Në këtë seancë gjyqësore, trupi gjykues në përbërje nga gjykatësit Afërdita Bytyqi, Shadije Gërguri dhe Beqir Kalludra morri aktvendim  që e njëjta të shtyhet pasi  dëshmitari Adnan Podvorica, i propozuar nga prokurorja e çështjes Besa Krajku, edhe pas urdhëresës nga ana e gjykatës për prezencë në senacë gjyqësore, i njëjti mungonte dhe sipas  shkresës së policisë  ai ndodhet në botën e jashtme, përkatësisht në Londër.

Prokurorja Besa Krajku i ka propozuar gjykatës që seanca të shtyhet pasi dëshmia e dëshmitarit Podvorica është kruciale për këtë lëndë dhe me këtë propozim u pajtua edhe mbrojtësi i të dëmtuarës A. G., avokati Nikë Shala.

Avokati Skender Musa, mbrojtësi i të akuzuarit Xhafa, tha se dëshmitari Podvorica sipas disa informatave jozyrtare gjendet në burg në Londër.

Sipas aktakuzës së ngritur me 10 nëntor 2014, i akuzuari Nexhat Xhafa, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare  ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që të përfitoj dobi pasurore për veti dhe për të tjerët ashtu që të dëmtuarës S. T. ia kishte mundësuar kalimin ilegal të kufirit nga Shqipëria në Kosovë, duke e shfrytëzuar letërnjoftimin e Republikës së Kosovës të personit Sh. P., bashkëshortës së Adnan Podvoricës, i njëjti shokë i të akuzuarit Xhafa.

Po ashtu sipas aktakuzës Naser Xhafa të njëjtën ditë që e kishte sjellë S.T. në Kosovë i kishte gjetur punë, derisa ia mbante të hollat dhe dokumentet  dhe të njëjtën e kishte keqtrajtuar fizikisht. Të akuzuarin Xhafa e kishte denoncuar edhe e dëmtuara A.G.,të njëjtën e kishte shfrytëzuar për t’i shantazhuar personat financiarisht në gjendje të mirë, në atë mënyrë që pasi e dëmtuara A.G. të binte në kontakt me të njëjtit, i akuzuari t’i fotografonte dhe të njëjtit t’i shantazhonte, duke u paraqitur si bashkëshorti i A.G. Sipas kësaj aktakuze, i akuzuari Nexhat Xhafa kishte ushtruar dhunë ndaj dy të dëmtuarave. Seanca e ardhshme u caktua më 15 prill 2016, në orën 09:00

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë