Prishtinë, 5 shkurt – Seanca gjyqësore e paraparë për tu mbajtur të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj të akuzuarit për shpërdorim të detyrës zyrtare Imri Bajrami është shtyrë për 1 prill 2016. Shtyrja e seancës është bërë për shkak të mungesës së dy dëshmitarëve, të cilët ishin ftuar për të dëshmuar në këtë rast. Kjo është bërë e ditur të premten nga Kryetarja e Trupit Gjykues, Valbona Musliu – Selimaj.
Ky proces gjyqësor zhvillohet sipas aktakuzës së ngritur nga ish-Prokuroria Publike Komunale në Prishtinë më 30 qershor 2010. Sipas aktakuzës, Imri Bajrami akuzohet për veprën penale “Shpërdorim i pozitës zyrtare ose autorizimit”, ndërsa në të njëjtin akt akuzues ishte edhe Artan Zhitia, për veprën penale “Dhënia e ryshfetit”, por ndaj tij është hudhur aktakuza për shkak të arritjes së afatit të parashkrimit të ndjekjes penale.
Sipas pretendimit të prokurorisë, i akuzuari Imri Bajrami si polic hetues më 13 janar 2009, në një kafene në Prishtinë kishte marrë ryshfet 5000 euro nga tani i ndjeri Beqir Kastrati. Ky i fundit, këto para i kishte marrë nga Arben Zhitia, i cili e kishte mik tani të ndjerin Beqir Kastrati. Arsye pse ishte bërë ky pazar, sipas prokurorisë, ishte për tu liruar nga burgu babai i Artanit – Ismajl Zhitia, i cili po vuante një dënim me burgim. Seanca për këtë rast është caktuar të mbahet më 1 prill 2016 në orën 13:00 në Gjykatën Themelore në Prishtinë.