Shtyhet seanca ndaj të akuzuarës se shtiu me armë zjarri në një aheng familjar
Raporton: Donjeta AJVAZI
Prishtinë – Si rezultat i mungesës së të akuzuarës sërish ka dështuar të mbahet në Gjykatën Themelore në Prishtinë gjykimi ndaj të akuzuarës Sh.K, e cila ngarkohet se më 2019 ka shtënë me armë zjarri në një aheng familjar.
Në seancën e kaluar gjykatësi i rastit Ertan Sejfulla kishte njoftuar se për të akuzuarën është konstatuar se e ka pranuar flete kthesën, mirëpo ky dorëzim ka rezultuar të jetë bërë gabimisht ndaj personit tjetër Sh.K, e cila është identifikuar se është person tjetër, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndërsa në seancën e sotme, i njëjti konstatoi se e akuzuara është ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo nuk e ka arsyetuar mungesën e saj sot.
Ndaj të njëjtës Gjykata do të lëshojë urdhëresë për sjellje me shoqërim.
Përkundër mungesës së saj, i pranishëm në seancën e sotme ishte prokurori Zef Prendrecaj.
Në mungesë të kushteve për mbajtjen e gjykimit, i njëjti u shty për 19 korrik 2022.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e akuzuara Sh.K. më 30 janar 2019 në fshatin Grashticë, Komuna e Prishtinës, gjatë një ahengu familjar ka shtënë me armë AK-47, të cilën e ka fshehur.
Por, aktakuza thotë se pas kontrollit sipas urdhëresës nga gjykata të 8 shkurtit 2019, arma i është konfiskuar më 12 shkurt 2019 nga policia, me ç ‘rast e pandehura e ka përdorë pa autorizim.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, par.1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi
Shenim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç, nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.