SHTYHET SEANCA NDAJ ISH-GJYKATËSES SHEMSIJE SHEHOLLI

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, të premten, ishte paraparë të mbahej shqyrtimi i radhës ndaj ish-gjykatëses, Shemsije Sheholli, e cila akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, por i njëjti nuk është mbajtur sepse prokurori i çështjes ka pasur rast vdekje në familje.

Kryetarja e trupit gjykues, Raime Elezi, ka njoftuar se shqyrtimi nuk mund të mbahet sepse prokurori e kishte njoftuar më herët se nuk mund të marrë pjesë në shqyrtim sepse ka rast vdekje në familje, me këtë rast ka njoftuar palët në procedurë se shqyrtimi nuk do të mbahet dhe i njëjti është caktuar për 14 prill 2016, në ora 14:00.

Me 12 shtator 2013, Prokuroria e Shtetit, ka ngritur aktakuzë ndaj Shemsije Shehollit, të cilën e akuzon se duke qenë në detyrën zyrtare, si gjyqtare në ish-Gjykatën Komunale në Prishtinë, ka keqpërdorur detyrën zyrtare në atë mënyrë që ka aprovuar kërkesën e paditësve Jetullah, Sherife dhe Naim Krasniqi, me të cilën vërteton se ata janë pronar të një prone, në vendin e quajtur “Kroi i Bardhë”, me ç’rast ajo me propozimin e paditësve, i cakton të paditurit, Ustun Sylejman nga Turqia, një përfaqësues të përkohshëm me arsyetimin se i njëjti është zhvendosur në Turqi, në adresë të panjohur dhe nuk ka zbatuar ligjet pozitive që të shpallë vendimin në gazetën zyrtare apo në tabelën e shpalljeve te gjykatës, me çka i është mohuar e drejta e pjesëmarrjes në kontest, trashëgimtarëve ligjor të të paditurit, Zineta, Ifeta dhe Eroll Nikoqeviq.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë