Shtyhet seanca ndaj Haki Xhemailit për vjedhje të energjisë elektrike, negociohet pranimi i fajësisë me prokurorin

Raporton: Syzana REXHEPI

Gjilan – Në këtë fazë të procedurës, mbrojtësi i të akuzuarit Haki Xhemailit, avokati Ilmi Qerimi, në konsultim me të akuzuarin kanë propozuar që të shtyhet seanca për shkak të negocimit të marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë me Prokurorinë Themelore në Gjilan. Ky propozim nuk është kundërshtuar nga prokurori i rastit Arben Ismaijli.

Kryetari i trupit gjykues Behar Ymeri, pas vlerësimit të propozimit të mbrojtësit dhe pretendimeve jo kundërshtuese të prokurorit mori aktvendim që seanca të shtyhet më 7 shtator 2016, ora 09:00.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjilan, i pandehuri Haki Xhemaili me 19 mars 2015, në fshatin Llovcë, me qëllim që vetit ti sjellë përfitim të kundërligjshëm pasuror, pa autorizim ka shpenzuar energjinë elektrike. Ai është lidhur direkt në rrjetin elektrik pa njësorë elektrik për regjistrimin energjisë elektrike, ashtu që energjia e  shpenzuar nuk është regjistruar, duke e dëmtuar KEDS-in në shumë prej 61.93 euro.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë