Shtyhet seanca ndaj Drejtorit të Arsimit në Prizren, Nexhat Çoçaj

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren, 12 shkurt 2016 –Është shtyrë seanca ndaj të akuzuarëve Nexhat Çoçaj dhe Shaip Buduri, të cilët akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Gjyqtarja e rastit njoftoi se seanca nuk do të mbahet për shkak se avokati Rexhep Hasani që përfaqëson të akuzuarin Nexhat Çoçaj, me parashtresë ka kërkuar që të shtyhet kjo seancë sepse i njëjti ka të caktuar një takim në Ambasadën Norvegjeze për marrjen e vizës.

Sipas aktakuzës, Çoçaj dhe Buduri akuzohen se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare, njëri si Drejtor i Gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren e tjetri si Drejtor i Drejtorisë së Arsimit në komunën e Prizrenit kanë marrë në punë profesorin Besnik Krasniqi (vëlla i bashkëshortes së Drejtorit të shkollës) si profesor të lëndës Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, pa shpallur konkurs.

Më 25 gusht 2015, Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda ka ngritur aktakuzë ndaj akuzuarve Nexhat Çoçaj dhe Shaip Buduri, me të cilën i akuzon se kanë përdorur pozitat e tyre për të përfituar të mira material, për veten dhe personin tjetër, në mënyrë të paligjshme, duke punësuar një person të afërt, brenda institucionit arsimor, pa shpallur konkurs. Seanca e radhës do të mbahet më 15 mars 2016.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë