SHTYHET SEANCA NDAJ DOGANIERIT TË AKUZUAR PËR MARRJE RYSHFETI

Raporton: Bukurezë SURDULLI

Pejë – Si pasojë e mungesës së dy dëshmitarëve, shqyrtimi gjyqësor ndaj Shemsedin Sadikut nuk është mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Pejë. Në këtë shqyrtim kishte qenë e paraparë që të dëgjohen dëshmitarët Ganimete Salihi dhe Fisnik Koshi mirëpo që të dy e kanë lajmëruar Gjykatën që nuk gjenden në Kosovë.

Të dy dëshmitarët kishin ushtruar detyrën e doganierëve në Doganës së Kosovës në kohën kur supozohet të ketë ndodhur vepra penale. Koshi me anë të një shkrese kishte njoftuar gjykatën se gjendet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërkaq Salihi kishte njoftuar se gjendet në Angli. Prandaj, ky shqyrtim gjyqësor u shty për 19 gusht 2016, duke filluar nga ora 10:30.

Në vitin 2014, Prokuroria Themelore në Pejë ka akuzuar Shemsedin Sadikun se i njëjti ka kryer veprën penale “marrje ryshfeti”, në mënyrë që të ushtroj ndikim tek kolegët e tij Ganimete Salihi dhe Fisnik Koshi. Sipas aktakuzës, Sadiku kishte kërkuar dy mijë euro ryshfet nga Fadik Zhabollaj në mënyrë që të ndikoj tek kolegët për të mos i shqiptuar gjobë për tri automjete të hasura në autoparking, të cilat në këtë rast ishin të pa doganuara.

Lidhur me këtë vepër penale, i akuzuari Shemsedin Sadiku nuk e kishte pranuar fajësinë dhe tani shqyrtimi gjyqësor është duke vazhduar me dëgjimin e dëshmitarëve.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë