Shtyhet seanca ndaj Agron Bucollit dhe Eurogomës, negociohet pranimi i fajësisë me prokurorin
Raporton:Syzana REXHEPI
Gjilan – Në këtë fazë të procedurës, mbrojtësit e të akuzuarve Eurogomës dhe Agron Bucollit, avokatët Ymer Hurglica dhe Abdylaziz Sadiku , në konsultim me të akuzuarit kanë propozuar që të shtyhet seanca për shkak të negocimit të marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë me Prokurorinë Themelore në Gjilan. Ky propozim nuk është kundërshtuar nga prokurori i rastit, Shefik Mehmeti.
Kryetari i trupit gjykues Ramiz Azizi, pas vlerësimit të propozimit të mbrojtësve dhe pretendimeve jo kundërshtuese të prokurorit mori aktvendim që seanca të shtyhet më 06 tetor 2016, ora 09:00.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjilan, i pandehuri Sh.P.K. Eurogoma, akuzohet se prej hapjes së përfaqësisë së saj e deri me datën 25 mars 2014 nuk i ka instaluar pajisjet mbrojtëse në kanalin që ishte i destinuar për “regllazhë” nuk ka vepruar në pajtim me dispozitat apo rregullat teknike mbi masat në vendin e punës dhe me këtë ka rrezikuar jetën e njerëzve si dhe ka shkaktuar dëme të konsiderueshme pasurore. Në këtë rast dy konsumatorë të cilët kishin ardhur në këtë objekt të këtij personi juridik për të shikuar goma të cilët rrëzohen në këtë kanal dhe me këtë rast pësojnë lëndime të rënda trupore.
Ndërsa i pandehuri Agron Bucolli akuzohet se si menaxher i përfaqësisë së “Eurogomës” nuk kishte kërkuar prej pronarit dhe as vetë si person përgjegjës nuk i ka instaluar pajisjet mbrojtëse në kanalin që ishte i destinuar për regllazhë dhe nuk ka vepruar në pajtim me dispozitat apo rregullat teknike mbi masat për sigurinë në vendin e punës dhe me këtë ka rrezikuar jetën e njerëzve dhe ka shkaktuar dëme të konsiderueshme pasurore.