SHTYHET SEANCA, MUNGON I AKUZUARI, POLICIA NUK I PËRFILL URDHËRESAT E GJYKATËS

Raporton:Arbelina DEDUSHAJ

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore të Prishtinës,të enjtën u shty seanca e shqyrtimit gjyqësor pasi Arian Bytyqi, i akuzuar për veprën penale “përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës” edhe pas lëshimit të urdhëresës për sjellje me dhunë në gykatë, policia nuk ka arritur të sigurojë prezencën e tij.

Sipas aktakuzës së ngritur më 9 mars 2013, Arian Bytyqi, akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar-si asistent i menaxherit të arkës në Hipermarketin ”Maxi”, i cili gjendet në zonën industriale të Prishtinës,m e qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, ka përvetësuar shumën e parave prej 10.343,13 euro,të cilat të njëjtit i ishin besuar për ruajtje si pjesë e përgjegjësive të tij.

Në shqyrtimin e së enjtës, gjykatësja Nora Bllaca Dula morri aktvendim që seanca të shtyhet, pasi edhe pas urdhëresës së gjykatës për sjellje të të akuzuarit në gjykatë drejtuar policisë, e njëjta nuk kishte vepruar sipas kësaj urdhërese. Po ashtu në seancë u konstatua se policia nuk ka vepruar sipas urdhëresës së lëshuar me datën 9 shkurt 2016, ku përveç që nuk e ka sjellë të akuzuarin para gjykatës as nuk ka lëshuar njoftim për këtë gjë, ndërsa gjykatësja po ashtu njoftoi se për herë të dytë do të lëshoj urdhëresë për sjellje të të akuzuarit në gjykatë, por tani përmes Komandanit Policor të Stacionit Policor ”Jugu” në Prishtinë.

Po ashtu në këtë shqyrtim gjyqësor ishin të paraparë që të dëshmojnë në lidhje me veprën penale, dëshmitarët përfaqësuesi i Hipermarketit”Maxi”Visar Kastrati dhe tre dëshmitarë të tjerë Naser Krasniqi, Arsim Sahitaj dhe Beqir Bajgora. Seanca e ardhshme u caktua që të mbahet më 27 prill 2016, në orën 13:15.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë