SHTYHET SEANCA KUNDËR TË AKUZUARIT PËR KORRUPSION

Raporton: Valdet HAJDINI

Pejë – Seancë e caktuar për të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Pejë, kundër Besim Jasiqit i akuzuar për veprat penale shpërdorim i detyrës zyrtare ose autorizimit dhe falsifikim i dokumenteve zyrtare, si dhe Bekim Goçi i akuzuar për veprën penale lajmërim i rrejshëm, është shtyrë për shkak të mungesës së kryetares së trupit gjykues Lumturije Muhaxheri, e cila ishte e sëmurë.

Sipas pretendimit të prokurorisë, aktakuza është ngritur me arsyetimin se i akuzuari Besim Jasiqi në cilësinë e personit zyrtar-Polic i Njësisë të Trafikut Rajonal në Gjakovë, më 19 gusht 2012, në hyrje të Junikut me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për tjetrin, ka shkelur Ligjin për Policinë, ku pa e informuar bazën e as mbikqyrësin e tij del në vendin e ngjarjes dhe konstaton kinse i pandehuri Bekim është përgjegjës për aksidentin, pas marrëveshjes me të, me ç’rast ushtron kallëzim penal të rremë. Me këtë ngarkohet të ketë kryer veprën penale shpërdorim i detyrës zyrtare ose autorizimit. Gjithashtu, më 19 gusht 2012, në shkresat zyrtare shënon informacione të rreme, e të cilat i ka vërtetuar me nënshkrimin e tij dhe vulën zyrtare, me çka ngarkohet për veprën penale falsifikim i dokumenteve zyrtare. Ndërsa, i akuzuari Bekim Goçi më 14 dhjetor 2012, ka lajmëruar veten se ka kryer vepër penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare, edhe pse nuk e kishte kryer atë vepër. Kjo me arsyetimin që aksidentin e ndodhur më 19 gusht 2012 në Junik, me qëllim që pas marrëveshjes paraprake me të pandehurin Besim, e ka paraqitur veten si shkaktar të aksidentit të trafikut, edhe pse në rastin konkret vozitës i automjetit ka qenë dikush tjetër. Me këtë ngarkohet të ketë kryer veprën penale lajmërim i rrejshëm.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë