SHTYHET SEANCA KUNDËR TË AKUZUARËVE PËR KORRUPSION, MBROJTJA THOTË SE LËNDA ËSHTË PARASHRKUAR

Raporton: Gëzim HASANI

Pejë – Seancë e caktuar për të hënën kundër Qazim Malokut dhe Bekim Bufajt, të akuzuar për veprat penale “falsifikim të dokumentave” dhe “legalizimi i përmbajtjes së pavërtetë”, është shtyrë për shkak të mungesës së mbrojtësit të të akuzuarit Bufaj, pasi i njëjti gjendej në një seancë gjyqësore në Gjakovë.

Prokurorja Sahide Gashi, bëri vërejtje ndaj parashtresës së mbrojtësit për shtyerje të seancës pasi sipas saj i njëjti kishte qenë i njoftuar për seancë që nga 18 janari 2016 dhe nuk është adekuate që gjykata të lajmërohet 30 minuta para seancës për mosprezencë.

Mbrojtësi i Qazim Malokut,Gëzim Baloku, tha se për të nuk përbën problem shtyerja e seancës pasi që sipas tij lënda ka arritur parashkrimin absolut dhe se shqyrtimi gjyqësor nuk mund të vazhdohet.

Në aktakuzën e ngritur Qazim Maloku akuzohet se në cilësinë e personit përgjegjës në Regjistër Zyrtar ka shënuar informacione të rreme në regjistrat zyrtarë, në atë mënyrë që si Drejtor i Shkollës së Mesme në Gjimnazin “Sami Frashëri” në fshatin Irzniq, ka regjistruar librin amë të vitit 1990/98, nxënësit të cilët kinse e kanë kryer shkollën fillore Avni Rrustemi të fshatit Rezarë duke i regjistruar të njëjtit nxënës të atij gjimnazi, duke kryer kështu veprën penale “falsifikim të dokumenteve zyrtare”.

Bekim Bufaj akuzohet se kishte vu në lajthim Komisionin për Përzgjedhje të Kandidatëve për Policë në Prishtinë, duke prezentuar diplomën e falsifikuar të datës 17.12.2017 të Shkollës së Mesme “Sami Frashëri” në Irzniq në atë mënyrë që viti kur figuron se i pandehuri ka kryer Gjimnazin është viti 1994, kurse është konstatuar se i njëjti shkollën fillore e ka kryer në vitin 1997 me këtë rast duke kryer veprën penale “legalizimi i përmbajtjes së pavërtetë”.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë