SHTYHET SEANCA KUNDËR POLICIT QË TRAFIKONTE FEMRA

Raporton: Erlina TAFA

Prishtinë – Më kërkesë të mbrojtësit të të akuzuarit Nexhat Xhafa, avokatit Skender Musa, është shtyrë seanca gjyqësore e paraparë të zhvillohej më 16 shkurt në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Seanca është shtyrë pas kërkesës së avokatit Musa me arsyetimin se në të njëjtën kohë duhej të merrte pjesë në një gjykim tjetër. Gjyqtarja e lëndës Afërdita Bytyçi e ka aprovuar kërkesën, ndërsa seanca është shtyrë për një datë të pacaktuar.

Sipas aktakuzës së ngritur më 10 nëntor 2014, Nexhat Xhaka, akuzohet për tri vepra penale: keqpërdorim i  pozitës apo autoritetit zyrtar, trafikim me njerëz dhe sulm.

Prokuroria Themelore në Prishtinë akuzon Xhakën se në periudhën kohore prej vitit 2012 deri në 2014 kishte mbajtur nën kontroll të dëmtuarën A.G. duke e shfrytëzuar atë që të caktonte takime me disa persona me gjendje financiare të mirë dhe përgjatë këtyre takimeve ai kishte bërë foto që i kishte shfrytëzuar për t’i shantazhuar këta persona. Sipas Prokurorisë, e dëmtuara A.G. e kishte denoncuar disa herë në polici Xhakën lidhur me këto veprime, por këto denoncime i kishte tërhequr ngase Xhaka i kishte ushtruar presion.

Nga ana tjetër, Prokuroria pretendon se Xhaka i ka tejkaluar kompetencat e tij si zyrtar policor meqë ia ka mundësuar kalimin ilegal nga Shqipëria në Kosovë të dëmtuarës S.T. të cilën sipas aktakuzës e kishte trafikuar, duke e shfrytëzuar gjendjen e saj të dobët financiare.

Pika e tretë e Aktakuzës e ngarkon Xhakën me veprën penale të sulmit, ngase dyshohet se i njëjti i ka keqtrajtuar fizikisht të dëmtuarat A.G. dhe S.T.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë