SHTYHET SEANCA KUNDËR ISH-PUNËTORES SË INTEREX-IT

Raporton: Bukurezë SURDULLI

Prishtinë – Seanca e shqyrtimit të dytë e paraparë të mbahej të martën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër të akuzuarës Vildona Bega nuk është mbajtur për shkak se avokati Sevdali Zejnullahu nuk ka qenë i përgatitur, sepse është angazhuar aty për aty sipas detyrës zyrtare.

Caktimi i mbrojtësit në këtë rast, ka qenë obligim ligjor i gjykatës, për shkak të veprës penale të përshkruar në aktakuzë, ndërsa e akuzuara vetë nuk kishte angazhuar mbrojtës. Për këtë arsye, gjykata ia ka caktuar avokatin Sevdali Zejnullahu. Deri te caktimi i avokatit seanca u shty për një orë e gjysmë, ndërsa vazhdimi i saj u bë në zyrën e kryetarit të vetëm të trupit gjykues, gjykatësit Faik Hoxha.

Gjatë këtij shqyrtimi, avokati Zejnullahu deklaroi që nuk ishte i gatshëm të vazhdonte më tej me shqyrtim për shkak që nuk ishte pajisur ende me shkresat e lëndës. Në këtë rast, avokati mbrojtës i të akuzuarës, propozoi që seanca të shtyhet, propozim ky që u mbështet edhe nga prokurorja, Besa Limani. Gjykatësi Faik Hoxha morri aktvendim që ta aprovoj propozimin dheseanca e radhës do të vazhdoj më 31 mars 2016. Në këtë seancë është e paraparë që të bëhet shqyrtimi i kundërshtimeve dhe propozimeve nga ana e palëve.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e akuzuara Vildona Zeneli në dhjetor të vitit 2007, në cilësinë e punëtores së arkës në hiper marketin “INTEREX”, ka përvetësuar para me ndihmën e të pandehurve Burbuqe e Faton Haliti dhe Bernard Kerhani, të cilët tashmë janë në arrati dhe procedura ndaj tyre është pezulluar. Prokuroria pretendon që e akuzuara Burbuqe Haliti pas një marrëveshje paraprake me Vildona Bega ka marrë mallin në vlerë prej 202.55 euro, ndërsa në arkën ku ka punuar Bega ka bërë pagesën prej vetëm 14.24 euro. Pas një dite, e pandehura Bega ka bërë përsëri marrëveshje me Bernard Kerhanin, i cili ka blerë artikuj ushqimorë në vlerë prej 141.43 euro, ndërkaq në arkë është bërë pagesa prej vetëm 7.92 euro. E njejta gjë është përsëritur edhe pas disa ditëve nga i pandehuri Bernard Kerhani i cili ka marrë mallëra në vlerë prej 262.66 euro, dhe në arkën ku punonte Vildona ka paguar vetëm 21.16 euro. Po ashtu, edhe e pandehura Burbuqe Haliti. E akuzuara këtë gjë e ka përsëritur me marrëveshje paraprake me të pandehurit e tjerë edhe për tetë herë të tjera ku të pandehurit kanë marrë mall në shuma të ndryshme, ndërkaq, në arkë janë regjistruar shuma shumë më të vogla të parave. Poashtu, në aktakuzë thuhet që e pandehura Vildona Bega tre herë ka bërë pagesa për mall me kartelën e saj në shuma më të vogla dhe ndërkohë ka përvetësuar mall me vlera shumë më të mëdha. Sipas aktakuzës Bega bashkë me të akuzuarit e tjerë i kanë shkaktuar dëm material hiper marketit “Interex”  në shumën prej 9.502.30 eurove.

 

 

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë