SHTYHET SEANCA KUNDËR DY ISH-MINISTRAVE ASTRIT HARAQIJA E VALTON BEQIRI

Raporton: Valdet HAJDINI

Prishtinë – Seanca kundër dy ish-ministrave të kulturës në Qeverinë e Kosovës, Astrit Haraqija e Valton Beqiri është shtyrë, për shkak të mungesës në gjykatore të akuzuarit Nehat Fejza, si dhe mbrojtësit të akuzuarit tjetër Armond Morina, avokatit Arianit Koci.

Kryetarja e trupit gjykues Suzana Çerkini i njoftoi palët që i akuzuari Fejza me kohë kishte njoftuar gjykatën se këtë ditë do të jetë jashtë vendit, ndërsa avokati Koci kishte thënë se në të njejtën kohë ka një gjykim tjetër te gjyqtarët e EULEX-it.

Ndryshe, për dëshmitarin Bajram Kosumi, i cili kishte pranuar ftesën me kohë dhe nuk e ka arsyetuar mosprezencën në gjykatë, gjykata lëshoi urdhër për sjellje në shoqërim të policisë.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua me 6 shtatot 2016, në ora 13.30.

Ky rast është në rigjykim, pas aktvendimit të Gjykatës së Apelit. Në dhjetor të vitit të kaluar ish-ministrat Astrit Haraqija e Valton Beqiri u dënuan nga Gjykata Themelore në Prishtinë me nga 10 muaj burg me kusht, producenti filmik Armond Morina me 6 muaj burg efektiv, ndërsa producenti tjetër Nehat Fejza ishte shpallur i pafajshëm

Prokuroria i ngarkon dy ish-ministrat Astrit Haraqija e Valton Beqiri me veprën penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, ngase kishin mbështetur filmat “Mysafir në Sofër” dhe “Ndjekja e Larës”, edhe pse këta filma nuk kishin përfunduar asnjëherë. Ndërsa, producentët filmik Armond Morina e Nehat Fejza akuzohen për veprën penale të ‘mashtrimit në detyrë’.

Aktakuza kundër dy ish-ministrave dhe dy producentëve u ngrit në prill të vitit 2012, ndërsa gjykimi i tyre nisi në marsin e 2014-ës

Ish-Ministri Asrtit Haraqija ka drejtuar Ministrinë e Kulturës në vitet 2004-2007, ndërsa më 27 shkurt 2006 kishte nënshkruar kontratë me Nehat Fejzën, pronar i kompanisë “Concordia Pictures” për filmin “Ndjekja e Larës”, në vlerë prej 220,000 euro.

Më 30 janar 2007, nënshkroi një kontratë tjetër me Armond Morinën, pronar i kompanisë “Morina Films” për filmin “Mysafir në sofër”, në vlerë prej 350,000 euro.

Ish-Ministri Valton Beqiri që drejtoi Ministrinë e Kulturës në vitet 2008-2010, kishte nënshkruar aneks kontratën me “Morina Films”, duke transferuar 100,000 euro si subvencione për realizimin e filmit “Mysafir në Sofër”.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Ministria e Kulturës nënshkroi kontrata për këta filma në vlerën totale prej 570,000 eurove, në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik dhe atë për Kinematografinë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë