Shtyhet seanca gjyqësore ndaj Fatmir Limajt dhe të tjerëve

Raporton: Skender GOVORI

Prishtinë –  Është shtyrë seanca gjyqësore ndaj Fatmir Limajt dhe të tjerëve, e paraparë të mbahet sot.

Njoftimin për mos mbajtje të kësaj seance e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, avokati Sevdali Zejnullahu, mbrojtësi i të akuzuarit, Shpëtim Telakut.

“Anulohet seanca për sot, mua me sms më kanë njoftuar”, tha Zejnullahu për “Betimi për Drejtësi”.

Edhe një ditë më parë ishtë shtyrë seanca, pasi që dëshmitari Ali Aliu, kishte një rast urgjent dhe kishte shkuar në emergjencë, ndërsa kryetarja e trupit gjykues ka thënë se për mbajtjen ose jo të seancës së sotme palët do të njoftohen me kohë.

Fatmir Limaj, Endrit Shala, Nexhat Krasniqi akuzohen për veprat penale krim i organizuar, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, marrje ryshfeti, Shpëtim Telaku për veprat penale krim i organizuar dhe keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe i akuzuari i fundit Florim Zuka për veprat penale dhënie ryshfeti dhe keqpërdorim i autorizimeve ekonomike.

Përveç këtyre veprave penale, Fatmir Limaj akuzohet po ashtu edhe për veprën mos deklarim i parave për fushatë. Këto vepra të përmendura në akuzë, kanë të bëjnë me gjashtë tenderë për mirëmbajtjen dhe ndërtimin e rrugëve nga Ministria e Transportit dhe Post Telekomunikacionit, ministër i së cilës ka qenë Limaj.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë