SHTYHET SEANCA FILLESTARE NDAJ DEPUTETIT ELMI REÇICA, AKUZOHET PËR RAPORTIM TË RREMË TË PASURISË

Raporton: Hyrije MEHMETI

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën, ishte paraparë të mbahet seanca fillestare kundër deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica, i akuzuar për veprën penale “mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë” , mirëpo e njejta nuk u mbajt për shkak të mungesës së gjykatësit të çështjes, Kujtim Krasniqi.

I kontaktuar nga emisioni “Betimi për Drejtësi”, sekretari juridik Petrit Nrecaj ka bërë të ditur se gjyqtari i çështjes Kujtim Krasniqi nuk ka mundur të vijë në gjykatë për shkaqe shëndetësore, për çka palët janë njoftuar me kohë se kjo seancë nuk do të mbahet. Sipas tij duke marrë parasyshë rrethanat, seanca është shtyrë për një afat të pacaktuar.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në qershor të vitit 2015 kishte ngritur aktakuzë kundër Elmi Reçicës me pretendimin se i njejti nuk i ka deklaruar në plotni të hyrat e tij nga Kuvendi i Kosovës. Sipas aktakuzës, në formularin e pasurisë së vitit 2013 Reçica kishte deklaruar të hyra prej 17 mijë e 760 eurove, ndërsa ishte zbuluar se gjatë atij viti Reçica kishte pasur të hyra vjetore prej 24 mijë e 56 eurove.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë