Shtyhet seanca fillestare kundër gjykatësit dhe avokatit që shpallën “të vdekur” Rrahim Bajramin, akuzohen që 4 vjet

Raporton: Hyrije MEHMETI

Prishtinë – Kanë kaluar pothuajse katër vjet na ngritja e aktakuzës kundër ish-gjykatësit Sami Gërdovci dhe avokatit Miriman Vehapi, pasi kishin shpallur të vdekur tani të dëmtuarin Rrahim Bajrami. Mirëpo deri më tani nuk është mbajtur asnjë seancë gjyqësore lidhur me këtë rast. Mungesa e prokurorit ishte shkak i shtyrjes së shqyrtimit fillestar të paraparë të mbahet të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, shqyrtim ky i caktuar për herë të tretë. Kjo ndodhi edhe përkundër faktit që gjykata i ka dërguar ftesat në prokurori më 28 korrik, saktësisht 12 ditë para mbajtjes së seancës.
Në këtë shqyrtim gjyqësor, përveç dy të akuzuarve,  të pranishëm ishin edhe mbrojtësi i të akuzuarit Gërdovci, avokati Xhavit Krasniqi dhe i dëmtuari Rrahim Bajrami me mbrojtësin e tij, avokatin Ragip Zeneli. Ky i fundit, tha se nuk ka arsye që të shtyhet seanca e caktuar të mbahet pas sa vjetëve, meqë sipas tij ka mjaft prokurorë që nuk janë në pushim.
Më këtë rast, gjyqtari i çështjes Elmaz Zenuni, tentoi për herë të dytë të kontaktoi disa prokurorë për të marrë pjesë në këtë shqyrtim, por të njëjtit nuk u përgjigjën në thirrjet telefonike të bëra në prezencë të palëve.

Bazuar në këto, shqyrtimi fillestar u caktua të mbahet më 15 shtator 2016 në ora 09:00.

 

Sipas aktakuzës të ngritur nga ish-Prokuroria Komunale në Prizren, i pandehuri Sami Gërdovci, si gjyqtar ekzekutues në Gjykatën Komunale në Prizren ka kryer veprën penale “nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore”. Ndërkaq, i pandehuri tjetër Miriman Vehapi, në cilësi të avokatit ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i besimit”.

Në dispozitivin e parë të aktakuzës thuhet se Gërdovci, në cilësi të gjyqtarit merr vendim të kundërligjshëm gjyqësor, me të cilin aprovon propozimin e avokatit Vehapi, si i autorizuar i të paditurit në një çështje kontestimore, Budimir Steviq, dhe abrogon masën e përkohshme të caktuar me aktvendim në bazë të propozimit të paditësit Rrahim Bajrami. Kjo duke u bazuar në kërkesën gojore të avokatit Vehapi, me arsyetimin se i dëmtuari Bajrami ka vdekur. Sipas aktakuzës, gjyqtari duke mos vërtetuar me asnjë provë relevante këtë fakt, e shfuqizon aktvendimin mbi caktimin e masës së përkohshme, duke e marr si të tillë një vendim të kundërligjshëm gjyqësor. Ndërkaq në dispozitivin e dytë thuhet se konstatimi i avokatit se paditësi në atë çështje kontestimore kishte vdekur, ishte bërë në zyrën e gjyqtarit Gërdovci. E gjithë kjo, sipas aktakuzës, është bërë me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, të dobisë pasurore për të pandehurin Vehapi, dhe shkaktimin e dëmit për personin tjetër, Rrahim Bajrami.

 

Bartja e lëndës nëpër gjykata
Aktakuza në fjalë është përpiluar pas afër 3 vite e 7 muaj nga kryerja e veprës penale. Kjo lëndë fillimisht i caktohet Gjykatës Themelore në Prizren, përkatësisht i ndahet gjyqtares Raima Elezi. Më 16 nëntor 2012 është caktuar seanca e parë për këtë çështje, por e njëjta nuk është mbajtur, dhe më palët nuk janë ftuar nga gjykata. Kështu, më 22 janar 2014, i dëmtuari Rrahim Bajrami dërgon një parashtesë-urgjencë te kryetari i Gjykatës Themelore në Prizren z. Ymer Hoxha, nga i cili kërkon arsyet e prolongimit të kësaj çështjeje dhe që kjo lëndë të shqyrtohet sa më parë të jetë e mundur.

Pasi nuk ka marrë asnjë përgjigje, më 30 janar 2014, paditësi dërgon urgjencë në Gjykatën Supreme të Kosovës, nga e cila merr përgjigje më 13 mars 2014, ku thuhej se Gjykata e Apelit e Kosovës ka marrë aktvendim që lënda të kalojë në kompetencë të Gjykatës Themelore në Gjilan. Kjo me arsyetimin se njëri nga të akuzuarit kishte parashtruar kërkesë për përjashtimin e gjyqtarëve të Departamentit të Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Prizren, dhe lënda t’i delegohet një gjykate tjetër për shqyrtim. Pra, kjo për faktin se i pandehuri Miriman Vehapi ka punuar një kohë të gjatë si gjyqtar në gjykatën e lartpërmendur.

Në GjTh në Gjilan, lënda fillimisht i është caktuar gjyqtarit Naim Haliti i cili nuk ka mbajtur asnjë shqyrtim, dhe më pas ka kaluar te gjyqtarja Emine Salihu, e cila po ashtu nuk ka mbajtur asnjë shqyrtim. Kështu, lënda kalon te gjyqtari i tretë, Hasan Sadiku. Ky i fundit i kontaktuar nga i dëmtuari Bajrami, e ka caktuar seancën fillestare me datën 25 shkurt 2015, në ora 10:30. Mirëpo, disa ditë para mbajtjes së shqyrtimit të caktuar, përkatësisht më 30 janar 2015, Gjykata Themelore në Gjilan e njofton të dëmtuarin se duke vepruar sipas qarkores së Gjykatës Supreme të Kosovës, lënda i është dërguar Gjykatës Themelore në Prishtinë për vendosje

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë