SHTYHET SEANCA E KORRUPSIONIT KUNDËR TË AKUZUARËS IVANA SPASIQ

Raporton: Valdet HAJDINI

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të enjten, nuk është mbajtur seanca gjyqësore, ndaj zyrtares së Kuvendit Komunal të Obiliqit, Ivana Spasiq, e akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Seanca gjyqësore ishte paraparë të fillonte prej orës 14:30, tek gjyqtari Beqir Kalludra, i cili ka vendosur ta shtyjë atë, me arsyetimin se ka qenë i zënë me gjykime tjera, ku gjatë ditës tha se kishte pasur edhe tri gjykime tjera dhe kishte qenë e pamundur që kjo seancë të fillonte me kohë. “Për shkak të disa gjykimeve tjera të cilat kanë zgjatur shumë, prokurorja e rastit dhe përkthyesja gjyhësore kanë shkuar, andaj nuk kemi kushte ligjore për mbajtje të senacës”, ka njoftuar palët gjyqtari Kalludra.

Në anën tjetër, avokati mbrojtës Ramiz Suka tha se palët kanë më shumë se një orë që prisnin fillimin e kësaj seance. Tutje, avokati Suka tha me sa mban ai mend edhe seanca e kaluar ishte shtyrë. Seanca e së enjtes u shty për 10 mars 2016, në ora 9:00.

Ky proces gjyqësor zhvillohet në bazë të aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bazë të cilës e akuzuara Ivana Spasiq ngarkohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar. Sipas pretendimit të prokurorisë, e akuzuara me datë 19 shtator 2013 në cilësi të personit zyrtar, duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar, nuk i kishte përmbushur detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të personit tjetër. Në cilësi të anëtarit të komisionit, ajo kishte përpiluar raportin përfundimtar, gjoja se ishin kryer të gjitha punimet sipas kontratës dhe aneks kontratës, me ç’rast i kishin mundësuar përfitim në mënyrë të kundërligjshme pronarit të firmës NNP “Ardi” dhe i kanë shkaktuar dëm material Kuvendit Komunal të Obiliqit.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë