Shtyhet seanca dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë në rastin ku paditësi po kërkon vërtetimin e pronësisë

Raporton: Senad Lokaj                                     

Gjakovë – Gjykata Themelore në Gjakovë, të premten, e ka kthyer në plotësim padinë, përkatësisht propozimin për caktimin e masës së sigurisë të paditësin R.B, i cili për vërtetim të pronësisë i ka paditur F.M dhe L.M. 

Fillimisht, gjykatësja Mirjeta Shala konstatoi se pas caktimit të kësaj seance në gjykatë ka ardhur një parashtresë nga i autorizuari i paditësit-propozuesit, avokati Avdi Rizvanolli, ku i njëjti ka bërë zgjerimin e kërkesëpadisë në aspektin subjektiv, mirëpo sipas saj, i njëjti nuk e ka specifikuar kërkesëpadinë-propozimin për masë të sigurisë në aspektin objektiv.

E, avokati Rizvanolli tregoi se vetëm pasi që e ka marrë përgjigjen në padi është njoftuar për vdekjen e të paditurit L.M, andaj e ka bërë zgjerimin e padisë edhe për trashëgimtarët e të ndjerit.

Në këto rrethana, gjykatësja Shala tha se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për mbajtjen e seancës.

Ajo e ka urdhëruar paditësin, përkatësisht propozuesin e masës së sigurisë që në afat prej 7 ditësh ta bëjë plotësimin e padisë-propozimit për caktimin e  masës së sigurisë në aspektin objektiv, duke e precizuar qartë kërkesëpadinë dhe propozimin  për caktimin e masës së sigurisë. Të njëjtin e ka obliguar që t’ia sjellë gjykatës edhe certifikata e lindjes për të paditurit.

Gjykatësja tha se do të konsiderohet e tërhequr padia në rast se e njëjta nuk i kthehet gjykatës e korrigjuar.

Ndryshe, në propozimin për caktimin e masës së sigurisë thuhet se paditësi R.B është në posedim të qetë dhe të lirë dhe i pashqetësuar nga askush i paluajtshmërisë e cila gjendet në Gjakovë me sipërfaqe prej 0.03.00 Ha.

Sipas paditësit-propozuesit, në këtë paluajtshmëri është në posedim të qetë dhe të lirë mbi 30 vite, në të cilën paluajtshmëri ka ndërtuar edhe shtëpinë e banimit në të cilën jeton me familjen e vet.

Andaj, po kërkojnë nga gjykata që ta caktojë masën e sigurisë, ashtu që t’iu ndalohet kundërshtarëve të sigurimit që ta tjetërsojnë, fshehin, ngarkojnë, disponojnë me pasurinë e cila evidentohet si si ngastër kadastrale me sipërfaqe prej 300 metra katrorë, në bashkëpronësi me ½ pjesë ideale të paditurve-kundërshtarëve të sigurimit./BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë