SHTYHET SEANCA DËGJIMORE NË ÇËSHTJEN KONTESTIMORE TË PADITËSIT RRAHIM BAJRAMI

Raporton: Hyrije MEHMETI

Prishtinë – Mungesa e dy prej të paditurve në çështjen kontestimore të paditësit Rrahim Bajrami, ka bërë që të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë të shtyhet seanca dëgjimore për këtë lëndë. I padituri Nebih Sahiti nuk ishte prezent në këtë seancë dëgjimore dhe nuk e kishte arsyetuar mungesën e tij edhe përkundër faktit se i njëjti e kishte pranuar ftesën. Ndërsa për të paditurin tjetër, Salih Abazi, gjykata nuk ishte në dijeni nëse i njëjti është ftuar me ftesë të rregullt.

Paditësit Rrahim Bajrami, Adem Bajrami, Brahim Bajrami, Tahir Bajrami, Bahtir Bajrami, Hava Bajrami- Krasniqi dhe Agim Bajrami kanë parashtruar padi për vërtetim pronësie, me propozim që të caktohet masa e përkohshme e sigurisë kundër të paditurve Budimir Urosh Steviq, Bekim Matoshi, Kadri Mehmeti, Nebih Sahiti, Milazim Veliu, Hajdin Thaqi dhe Salih Abazi.  Padia ka të bëjë me pronën e cila gjendet në vendin e quajtur “Vërboviqiq Guzhin Gllog” në Çagllavicë, të cilën pronë paditësi Rrahim Bajrami së bashku me babin e tij, tani të ndjerin Rrahman Bajrami, e kishin blerë në muajin shtator të vitit 1970 prej tani të ndjerit Urosh Steviq. Në padinë e tyre theksohet se të njejtit kanë paguar çmimin e shitblerjes dhe tokën e kanë shfrytëzuar deri në vitin 1998, kur për shkak të situatës së krijuar të sigurisë kanë ndërprerë punimet në të. Mirëpo, në vitin 2003, i padituri i parë Budimir Urosh Steviq, këtë palujtshmëri e ka ndarë në ngastra dhe të njejtat i’a ka shitur të paditurve tjerë.  Kontratat mbi shitblerjen e palujtshmërive lëndore janë vërtetuar në periudhën nga muaji mars-nëntor 2003 pranë Gjykatës Komunale në Prishtinë. Për këtë, në maj të vitit 2003 paditësit kanë ushtruar padi me të cilën kanë kërkuar që të vërtetohet e drejta e pronësisë .
Lidhur me këtë çështje kontestimore, gjyqtarja Frosina Sylejmani më datën 15.06.2015 kishte anuluar masën e përkohshme të sigurimit të caktuar me aktvendimin e datës 19.05.2014, i cili aktvendim ishte marrë nga gjyqtari Nehat Idrizi. Palët paditëse përmes të autorizuarit të tyre, Rrahim Bajramit, e të cilin e përfaqëson avokati Ragip Zeneli, kundër këtij aktvendimi kishin ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit të Kosovës. Në atë ankesë, të autorizuarit e paditësve theksojnë se e kontestojnë aktvendimin e gjyqtares Frosina Sylejmani, për këto shkaqe: shkeljen e dispozitave të procedurës kontestimore, konstatimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatimin e gabuar të së drejtës materiale.
Pas shqyrtimit të ankesës, Gjykata e Apelit, më datën 25.01.2016 nxjerr aktvendim që të prishet aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe çështja t’i kthehet të njejtës gjykatë në rigjykim. Në arsyetimin e këtij vendimi, thuhej se ankesa e të autorizuarit të paditësit Rrahim Bajrami, avokatit Ragi Zeneli, është e bazuar pasi që në vendimin e gjyqtares Frosina Sylejmani nuk janë treguar arsyet mbi faktet vendimtare. Madje, sipas tyre me rastin e marrjes së vendimit kjo gjykatë nuk është lëshuar që të analizojë shkaqet që e bëjnë të caktohet apo jo masa e sigurimit ashtu siç parashihet me ligj.
Me këtë vendim, çështja është kthyer përsëri te gjyqtarja Frosina Sylejmani, e cila udhëzohet që ta mbajë seancën lidhur me propozimin për masën e sigurimit, të eleminojë të metat e cekura në aktvendim në mënyrë që të shikojë se kundërshtarët e sigurimit a kanë marrë ndonjë veprim subjektiv që do të bënte të besueshëm faktin se do të bëjnë tjetërsimin me anë të shitblerjes, ndërrimin apo ngarkimin me hipotekë apo barrë tjetër sendore të ngastrave si në padi dhe në propozimin për masën e sigurisë, dhe në këtë mënyrë të merr një vendim të arsyetuar mirë në këtë çështje juridike-kontestimore.
Seanca e rradhës u caktua për 27 prill 2016.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë