Shtyhet përsëri seanca ndaj zyrtarëve të doganave të akuzuar për korrupsion

Raporton: Gzim SHALA

Gjilan – Në mungesë të prokurorit Shaban Spahiu, është shtyrë seanca e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Gjilan ndaj Radica Saviq, Ismet Shabanit dhe Baki Alimit, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Kryetari i trupit Gjykues, Agim Ademi, tha se ka është lajmëruar nga Prokurori i Shtetit se i njëjti nuk mund të paraqitet për arsye shëndetësore.

Kjo seancë është shtyrë edhe herën e kaluar, si pasojë e asaj se njëri i akuzuar ishte në pushim.

Seanca e ardhshme u caktua të mbahet më 10 nëntor 2016, ne ora 9:00.

Sipas aktakuzës, Radica Saviq akuzohet se gjatë muajit mars 2011, në kohë të pacaktuar  në pikën doganore “Dheu i Bardhë” e ka keqpërdorur pozitën zyrtare, ashtu që në mënyrë të kundërligjshme ka vërtetuar dokumentacione Unik Doganor DUD-at, ku nuk janë përputhur të dhënat bruto sasiore në vendimet fito-sanitare, ashtu që në dokumentin Unik  Doganor DUD ka qenë e shënuar pesha totale  prej 5860 kilogram për pesticide “Foxin”, ndërsa në vendimin fito-sanitar pesha është shtuar 18000 kilogram dhe me këtë i është mundësuar një fitim i kundërligjshëm pasuror në shumën prej 9551 euro të akuzuarit Baki Alimi.

Tutje i akuzuari Ismet Shabani në pikën doganore “Dheu i Bardhë”  ka shpërdorur pozitën zyrtare, duke lëshuar vendime fito-sanitare për artikullin pesticide, pa definuar llojin e pesticideve, duke i mundësuar të akuzuarit Baki Alimi që në emër të këtyre vendimeve t’i vë në lajthim organet doganore, duke importuar pesticide të llojit Galation dhe Foxin.

Baki Alimi akuzohet se në ndërmarrjen e tij NTP Redimenti pa autorizim ka shitur dhe ka blerë mall, qarkullimi i të cilave është i ndaluar, ashtu që në mënyrë të kundërligjshme ka futur në qarkullim pesticide të llojit “Glation dhe Foxin” në peshë prej 23860 kilogram, të cilat produkte janë të ndaluara për Kosovë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë