SHTYHET PËR TË TRETËN HERË GJYKIMI NDAJ ISH – INSPEKTORËVE TË TREGUT

Raporton: Diana BERISHA

Prishtinë – Seanca e paraparë të mbahet të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është shtyrë për shkak të mos prezencës së njërit nga pesë të akuzuarit, Faton Canolli. Kryetari i trupit gjykues Shashivar Hoti bëri të ditur se në seancën e radhës e cila do të mbahet me 19 maj do të vazhdohet me shqyrtim gjyqësor.

Sipas aktakuzës së datës 17 shtator 2008, të pandehurit Muhamet Prapashtica, Besnik Sadiku dhe Faton Canolli janë akuzuar për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, përderisa Ahmet Frangu dhe Nafije Osmani akuzohen për shpërdorim të detyrës zyrtare.

I pandehuri Muhamet Prapashtica në cilësinë e pronarit të firmës “M-Gas petrol” gjatë vitit 2007 ka vepruar kundër ligjit, në atë mënyrë që pa leje ndërtimi ka ndërtuar pompën e derivative “M-Gas petrol” në rrugën “Rrustem Hyseni” në Prishtinë.  Në këtë rast ndërmarrja ka rrezikuar jetën e njerëzve dhe pasuri të vlerave të mëdha, ashtu që me datë 15 mars 2008, gjatë furnizimit me gas nga një autocisternë e firmës “P-Gas” nga Peja, është shkaktuar rrezik i madh për jetën ashtu që ka ardhë deri te ndezja e gazit ku nga lëndimet e marrura kanë vdekur Bekim Muharremi dhe Ismajl Sadiku.

Tutje aktakuza ngarkon Besnik Sadikun, i cili në cilësinë e pronarit të ndërmarrjës “P-Gas” ka marrë me qira objektin e deponisë së gazit në Fushë Kosovë . I njëjti ka vepruar në kundërshtim me procedurat ligjore si dhe standardet e përgjithshme profesionale kundër kushteve të lejes për ndërtim. Në këtë mënyrë është rrezikuar jeta e njerëzve dhe pasurisë, ashtu që punëtorët nuk kanë qenë të pajisur me ADR, si dhe firma nuk ka qenë e licensuar për transportimin e lëndëve të rrezikshme ku i njëjti nuk ka aplikuar asnjë dokument të nevojshëm për zhvillimin e veprimtarisë.

I pandehuri Faton Canolli në cilësinë e vozitësit në firmën “P-Gas” në pikën e shtijes së derivative të naftës, i pa trajnuar për transportim dhe bartjen e lëndëve të rrezikshme si dhe pa kontratë pune, gjatë procesit të furnizimit ka ardhur deri te eksplodimi i gasit.

Ndërkaq, aktakuza ngarkon Ahmet Frangun dhe Nafije Osmanin, të cilët në cilësinë e inspketorëve të tregut, duke e shpërdorur detyrën e tyre zyrtare i kanë mundësuar ndërmarrjes  të përfitojë dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme duke lejuar që të punohet pa leje valide.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë