Shtyhet për në maj rigjykimi ndaj të akuzuarit për tentim vrasjen që kishte ndodhur në qershor të 2020-tës në Prishtinë

Pallati
Author

Raporton: Shqiponjë GASHI

Prill 12, 2021

Prishtinë – Është shtyrë për muajin maj rigjykimi në rastin ndaj të akuzuarit për vrasje në tentative e armëmbajtje pa leje, Harbin Vitija.

Një gjë e tillë ndodhi pasi dështoi të mbahet seanca e paraparë për të hënën, si pasojë e mungesës së të dëmtuarit Fisnik Zogjani dhe dëshmitarit Kastriot Sinani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetari i turpit gjykues, gjykatësi Alban Ajvazi tha se nuk ka prova se të njëjtit janë ftuar në mënyrë të rregullt, pasi bëri të ditur se deri më tani nuk është kthyer fletë kthesa.

Në këto rrethana, seanca e radhës u caktua për 7 maj 2021, në ora 9:30.

Ndryshe, prezent në sallë të gjykimit ishin prokurorja Shemsije Asllani, i akuzuari Vitija dhe mbrojtësi i tij, avokati Miftar Qelaj.

Ndryshe, më 10 dhjetor 2020, i akuzuari Vitija ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me 5 vite burgim për veprën penale të vrasjes në tentativë, kurse me 2 mijë euro gjobë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Mirëpo, Gjykata e Apelit, më 19 shkurt 2021, e kishte anuluar vendimin e shkallës së parë, me arsyetimin se i njëjti është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Në vendimin e Apelit thuhet se aktgjykimit të Themelores i mungojnë arsyet për faktet vendimtare, ndërsa ato që janë dhënë përkitazi me pranimin e fajësisë, janë në kundërshtim të plotë me shkresat e lëndës.

Të akuzuarit i ishte vazhduar edhe masa e paraburgimit, me arsyetimin se ende ekzistojnë të gjitha bazat ligjore.

Sipas aktakuzës së ngritur më 25 nëntor 2020, Harbin Vitja akuzohet se me 11 qershor 2020, rreth orës 21:30, në lokalin “Amarito”, në rrugën “Rrahim Beqiri'” në Prishtinë, pas një mosmarrëveshje verbale e cila kishte ndodhur dy muaj më parë me të dëmtuarin Fisnik Zogiani, në natën kritike takohet rastësisht me të dëmtuarin në lokal.

Në aktakuzë thuhet se në momentin që dalin jashtë, i akuzuari e sulmon me armë të ftohtë (thikë) të dëmtuarin Zogjani, ku pastaj largohet, me ç’rast atij i shkakton dëmtime të rënda trupore në regjionin e fytyrës, ku si pasojë e këtyre lëndimeve i dëmtuari i është nënshtruar intervenimit kirurgjik.

Me këto veprime, Vitija akuzohet se ka kryer veprat penale “Vrasje në tentativë”, nga neni 172 lidhur me nenin 28 të KPRK-së, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të KPRK-së./ BetimipërDrejtësi