Shtyhet për kohë të pacaktuar gjykimi ndaj të akuzuarit për vjedhje pylli

Viti
Author

Raporton: Genta PAJAZITI

Korrik 10, 2019

Viti – Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Viti, të mërkurën, ka lëshuar urdhëresë për verifikimin e adresës së Bushat Bajramit, i akuzuar se ka kryer veprën penale të vjedhjes së pyllit.

Sipas gjykatëses së çështjes, Drane Simani, nga fletëkthesa e dorëzuar në gjykatë, rezulton se i akuzuari Bajrami është shpërngulur në adresë të panjohur.

Andaj, derisa të bëhet verifikimi i adresës së banimit të të akuzuarit, gjykatësja Simani mori vendim që kjo seancë të shtyhet për kohë të pacaktuar.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 25 tetor 2016, Bushat Bajrami akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhje pylli”, nga neni 358 paragrafi 2, të KPRK-së.

Në aktin akuzues thuhet se më 9 prill 2016, rreth orës 14:00, në territorin e fshatit Letnicë, në pyllin e pronësisë shtetërore, në vendin e quajtur  “Popigllavë”, i pandehuri është takuar duke prerë dru me sharrë motorike, e duke i bartur me traktor të llojit “Ford”, dhe atë 14 copa, dru të llojit “Ah”, me diametër të ndryshëm prej 25-30 cm, në lartësi të drurit prej 27 cm, si dhe me vëllim të përgjithshëm 6.44 m3.

Sipas aktakuzës, me këtë i akuzuari Bajrami, të dëmtuarës APK-Zyra në Viti, i ka shkaktuar dëm të përgjithshëm në vlerën prej 869 euro. /Betimipërdrejtësi