Avokati i Veselit thotë se gaboi kur tha se Nazim Bllaca ka vdekur

Raporton: Medina KADRIU

(Përditësuar, ora 22:30) – Në pjesën e dytë të konferencës të së premtes, Ben Emmerson, ka sqaruar se gaboi kur tha se ka vdekur Nazim Bllaca

“Bëra një gabim kur thash që Nazim Bllaca ka vdekur”, ka thënë ai, kurse pjesa tjetër e deklarimit të tij nuk është dëgjuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Konferenca e së enjtes ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit është përcjellë me problem teknike gjatë transmetimit, ku ka pasur raste që nuk janë dëgjuar qartë deklaratat e palëve apo ka ngecur transmetimi në momente të caktuara.

 

Avokati i Veselit kërkon që të caktohet një datë paraprake për fillimin e gjykimit në dhjetor

 

(Përditësuar, ora 20:00)-Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, ka kërkuar nga gjykatësi paraprak që të caktohet një datë paraprake për fillimin e gjykimit në dhjetor.

Këtë e ka bërë gjatë diskutimit për dorëzimin e dosjes paraprake të mbrojtjes, në konferencën e 12-të për ecurinë e çështjes në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me hetimet e mbrojtjes, avokati i Thaçit, Gregory Kehoe ka thënë se vazhdojnë me hetimet e tyre, por dëshiron të sjell në vëmendje që ka redaktime të jashtëzakonshme, jo vetëm të deklaratave të dëshmitarëve, por edhe dokumenteve të tjera.

Tutje, tha se ka 100 dëshmitarë me masa mbrojtëse, ndërkohë që 65 do të vazhdojnë të jenë anonim edhe gjatë procesit gjyqësor, që do të bëhen me dije 30 ditë para gjykimit. Kurse, tha se 24 dëshmitarë të tjerë që do tu bëhen e ditur 30 ditë para gjykimit e dy që nuk do u bëhet i ditur identiteti asnjëherë.

Sipas tij, të akuzuarit dëshirojnë që kjo çështje të kaloj te trupi gjykues, sa më shpejtë të jetë e mundur.

“ I kisha dërguar një letër më parë OSBE-së për informacione të caktuara. Kohët e fundit kam marrë letrën mbrapsht ku thuhet se zyra e administrimit po bën disa kontrolle me këto dokumente, nuk mendoj se ZPS është menduar të kërkoj këto dokumente, dhe vetëm dje kam marr një njoftim se duhet të shkoj përmes gjykatës letra që të shikohen dokumentet e OSBE. Sa i kam dërguar OSBE dhe Kombet e Bashkuara se kam kërkuar për këto dokumente, por nuk di nëse mund të na jepni ndonjë udhëzim që të përshpejtojmë procesin”, tha ai, duke shtuar se duhet t’i kenë të njëjtat sa më shpejtë të jetë e mundur.

Kurse, Ben Emmerson, avokati i Veselit, tha se hetimet për çështjen kundër Veselit, po vijojnë mirë dhe do t’i vazhdojnë edhe gjatë verës dhe janë gati të fillojnë procesin gjyqësor këtë vit.

Avokati David Young, që mbron Krasniqin, tha se po vazhdojnë hetimet dhe se janë penguar nga redaktimet e shumta dhe urdhrat e anonimitetit, redaktimet në aktakuzë e dokumentet tjera.

Mbrojtja e Krasniqit, tha se po vazhdojnë hetimet dhe gjenden në të njëjtën situatë si të tjerët.

Tutje, pas fjalës së prokurorit, Emmerson tha se nëse prokuroria po u kërkon të bëjnë një analizë të detajuar lidhur me hetimet e mbrojtjes, ka përshtypje që prokurori do të zhgënjehet.

Avokati Kehoe tha se kanë nëntë persona që duan t’i deponojnë para procesit gjyqësor.

“Janë procese që kanën ndodhur në 1998, 1999, dhe para kësaj kohe, dhe ka individ që kanë qenë në terren në atë kohë dhe kanë moshë të shtyer, megjithëse u uroj më të mirën, është mirë të vijojmë me deponimin e tyre”, tha ai, duke shtuar tha se disa janë më të vjetër se 80 vjeç.

Ai tha se këta dëshmitarë kanë kërkuar dokumentet bazë dhe për këtë arsye ka kërkuar nga OSBE e Kombet e Bashkuara informacionet.

Në vijim, u diskutua për njoftimin për alibinë ose shkaqet për përjashtimin e përgjegjësisë.

Avokati Kehoe tha se klienti i tij në pjesën më të madhe të 1999 ka qenë duke vizituar kryeqytete të vendeve të ndryshme në gjithë botën dhe është përpjekur të sjell paqen në Kosovë.

“Për këtë arsye në mënyrë që të kem parashtrim më të qartë me alibinë, dua të kem datat e vendet që të them në këtë datë ka qenë në Bruksel apo Zvicër apo diku”, tha Kehoe.

Emmerson tha se datat, kohët e personat, janë çështje që duhet të sqarohen para se të bëjnë parashtrime që lidhen me alibinë.

Kurse, Young tha se nuk kanë mundësi të japin informacion për këtë për shkak të mungesës së informacionit. Ndërkaq, njëjtë tha edhe Alegandra, avokate e Krasniqit.

Kehoe ka thënë se janë angazhuar të dorëzojnë dosjen paraprake me 16 shtator. Kurse, Emmerson ka thënë se mund të dorëzojnë në këtë datë dosjen në bazë të kushteve që do krijohen.

“Qëllimi është ta kemi me 16 shtator për të dhënë mundësi që gjykimi të filloj në dhjetor, të gjitha përpjekjet për të vendosur një lloj disiplinimi për respektimin e afateve nga prokuroria. Kërkoj që të caktohet një datë paraprake për fillimin e gjykimit në dhjetor”, tha ai.

Avokati Young ka thënë se mbrojtja po mendon nëse do të dorëzoj apo jo një dosje paraprake, e kuptojnë që është një ftesë dhe jo kërkesë e detyrueshme dhe se mendojnë se varet nga kushtet që kanë vendosur në parashtrimet me shkrim dhe lidhur me afatet që do të vendosen nga gjykata për nxjerrjen e materialeve të rregullës 102 (3).

Prokurori Howling ka thënë se kanë thënë në konferencat e tjera se renditja e dëshmitarëve ka të bëj shumë me momentin kur fillon gjykimi, disponilitetin e dëshmitarëve dhe kalendarin e seancave që cakton trupi gjykues e se lista e dëshmitarëve mund të ndryshoj.

Ai tha se mbrojtja e Krasniqit është e vetmja që mbron se si afati i 16 shtatorit lidhet me fundin e shtatorit që prokuroria e propozoi si afat tani dhe nëse përmbushen kushtet mund të përmbushet 16 shtatori deklaroi se tha mbrojtja e Veselit.

“Ata nuk janë të angazhuar për asnjë afat të veçantë, ekipet e mbrojtjes kanë përmendur redaktimet që ka të bëj me shtyrjen e nxjerrjes së dhënave të dëshmitarëve, këto redaktime nuk do të hiqen në atë shkallë që të dorëzohen dosjet paraprake sipas tyre”, tha ai, duke shtuar se dosjet mund të dorëzohen në fakt.

Na anën tjetër, Kehoe tha se në bazë të ecurisë që kanë parë deri tani, ai shpreson që fundi i shtatorit të jetë realiste dhe jo një datë që prokuroria e thotë këtë për të bërë qefin e gjykatës dhe se duan nxjerrje të plotë, në mënyrë që të dorëzojnë dosjen paraprake.

“Nuk po luajmë shah, apo nxjerrim argumente të pavlefshme, thjesht duam që i nderuari gjykatës të nxjerrë pikërisht urdhrin të bëjnë atë që duan. Mund të ketë ndryshim në listën e dëshmitarëve, por për të ecur përpara me shpejtësi na duhet një skemë, nga e di, e di nga puna ime 25 vjeçe si prokuror”, tha ai,

Emmerson tha se dosjen paraprake do ta dorëzojnë me 16 shtator edhe sikur prokuroria nuk ka përmbushur detyrimet për nxjerrjen e materialeve e tutje shtoi se kërkojnë që edhe gjykimi të filloj me 16 dhjetor.

Prokurori Howling, me paraqitjen e çështjes së tyre, ka thënë se kanë bërë një pakësim në 500 orë  sa i përket shifrave dhe që do të vazhdoj të zvogëlohet kjo .

Kehoe ka thënë se ecuria e çështjes gjyqësore do të përshpejtohej nëse do të rimendoheshin afatet nga gjykata.

Kurse, Emmerson tha nuk munden që të akuzuarit të kalojnë gjashtë apo shtatë vite në burg derisa të dal një vendim nga gjykata.

Përfaqësuesi i viktimave, Simon Laws, ka thënë se çfarëdo lloj gjëje që mund të thuhet apo mos thuhet sa u përket shteteve tjera apo mosbesueshmërisë së provave në fund të procesit gjyqësor do të jenë shqyrtuar shumë prova që do ta kenë kaluar këtë standard dhe treguar se ka pasur rrëmbime, keqtrajtime dhe se çështja është se a lidhet kjo me të akuzuarit.

Tutje, tha se mendojnë se ka një mbivendosje të racionalizimit të çështjes gjyqësore dhe dosjes paraprake dhe se dosja paraprake duhet të identifikojë akuzat dhe çështjet që kanë kundërshtim dhe duhet të ketë referenca në dosjen paraprake të prokurorisë dhe jepen arsye se pse kundërshtohen këto.

Sipas tij, mbrojtja nuk e ka obligim të dorëzoj këtë dosje, por se në momentin që dorëzon dosjen paraprake duhet të respektojë këto kritere.

Ai tha se çfarëdo lloj progresi që mund të bëhet për uljen e orëve të punës, nëse ky vendim merret tani, duhet të rishikohet edhe më prapa.

 

Emmerson thotë se prokuroria vazhdon të mbështetet te Nazim Bllaca, i cili ka vdekur, thotë se ka informata se ishte aset serb dhe i paguar nga shërbimet serbe

 

(Përditësuar, ora 18:30)Në konferencën e 12-të për ecurinë e çështjes në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, avokati i Veselit, Ben Emmerson ka thënë se prokuroria vazhdon të mbështetet te një dëshmitar në rastin e incidenteve që ka të bëjë Veseli, që është Nazim Bllaca që ka vdekur.

Sipas tij, ka informacione që i njëjti ishte aset serb dhe i paguar nga shërbimet serbe

Fillimisht, lidhur me nxjerrjen e materialeve shfajësuese, prokurori Matt Howling ka deklaruar se kanë përfunduar analizën deri në fund të janarit 2022 dhe deri tani tha se kanë nxjerrë mbi 5500 dokumenteve në bazë të rregullës 102, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Për sa i përket parashkrimeve me shkrim të palës mbrojtëse, ne mund ta bëjmë këtë, kjo punë vazhdon, analiza vazhdon dhe të gjitha materialet e 103 që do t’i sigurojmë do t’i vazhdojmë gjatë gjithë procedurës penale për të parë nëse ka materiale shfajësuese. Do ta përfundojmë gjithë materialet që kemi marrë para konferencës së ardhshme dhe afatet e paraqitura nga mbrojtja janë të panevojshme. Sa herë të marrim materiale nga rregulla 103 do të vazhdojmë t’i nxjerrim ato, sa herë të vijnë materiale të kësaj natyre do t’i analizojmë dhe nxjerrim sipas rastit”, tha ai.

Sipas tij, ndërkohë materialet ekzistuese do të mund të analizohen herë pas herë dhe shkalla dhe sasia e tyre bën që ky të jetë proces shumë i rëndësishëm dhe është në vijimësi të praktikave të mira që janë zhvilluar gjatë Tribunalit të Hagës.

Ai tha se do të vazhdojnë vlerësimin e materialeve për të parë nëse ka materiale shfajësuese dhe se analiza fillestare ka përfunduar dhe janë të gatshëm me këtë të hapin rrugën për përgatitjen për gjyq.

Kurse, avokati i  Thaçit, Gregory Kehoe tha se një problem kryesor me mënyrën si është trajtuar çështja nga ZPS është se kanë dështuar të bëjnë gjërat në momentin e duhur.

“Ka vite dhe ne vazhdojmë të presim materialet e rregullës 103, materialet të cilat ju i nderuar gjykatës i keni thënë shpesh herë prokurorisë për t’i nxjerrë menjëherë dhe fjala menjëherë nënkupton tani dhe jo kur dëshiron ta bëj këtë ZPS. Dua të paraqes vonesën lidhur me dëshmitarët që na janë dhënë në ditët e fundit. Paketa e 18 maj 2022 është material që është i 5 shkurt 2015, në paketën 248 që është e 17 maj 2022 janë transkriptet e intervistave që ka bërë ZPS në dhjetor 2018 e në muaj të vitit 2019. Pastaj, në paketën e 13 maj 2022 ka shënime që ka bërë ZPS në qershor 2016 dhe janar 2017 dhe kjo nuk është nxjerrje e menjëhershme. ”, tha Kehoe, duke thënë se te kjo e fundit bëhet fjalë për personal të OSBE-së.

Ai tha se kjo është arsyeja pse kanë kërkuar një mbikëqyrës të pavarur në mënyrë që materialet tu nxjerrën në kohën e duhur dhe sipas tij, kjo nuk ka ndodhur.

Kehoe ka deklaruar se të gjitha këto ndikojnë në klientët e tyre sa i përket aspektit kohor, ku ata janë në paraburgim dhe i dëmtojnë gjithë këto vonesa e se ata duan të kalohet në gjykim sa më shpejtë.

“ Shqetësimi kryesor që kemi me materialet e rregullës 103, ka të bëj me kërkesën e posaçme nga ZPS për kontaktet që kanë mbajtur dëshmitarët e listës së tyre, të shtetit serb dhe ne duam të shohim nëse burimi i dëshmive që ka ZPS duam të dimë nëse vjen në mënyrë të drejtpërdrejt nga Republika Serbe dhe organet e tyre”, tha tutje ai.

Ai pyeti se çfarë dinë mbrojtja sa i përket falsifikimit të rasteve që mund t’i kenë bërë autoritetet serbe me qëllim që të fajësojnë klientët tanë të Kosovë, si dhe përmenda më parë se avokati i Selimit ka përmendur edhe rastin “Panda” që kishe ndodhur.

“Ku ndodhemi tani sa i përket bashkëpunimit serb me autoritetet serbe duke mbajtur parasysh që dokumenti themeltar i kësaj gjykate është raporti i Martyt dhe ajo që është raportuar në atë libër dhe në media në Beograd është që ish ambasadori i Serbisë në Zvicër bashkë me organet serbe që t’i dorëzojnë Martyt më shumë se 1000 dokumente, e kanë bërë këtë në vitin 2009. Ambasadori tha që raporti i martat është i bazuar në mijëra faqe që Mmarty ka marrë nga serbët. Ai vijon më tej dhe kjo vjen nga një intervistë në televizion në Serbi “po të mos ishte që ka ekzistua raporti i prokurorëve të krimeve të luftës në Serbi, nuk do të kishte as raport të Martyt”, tha ai tutje.

Ai tha se së fundi është zbuluar një përpjekje për të vrarë Dick Marty-n dhe kanë paraqitur këtë në parashtrimin e tyre për lirimin deri në gjykim.

“Autoritetet serbe nxorën një kontratë për vrasjen e zotit Marty për të fajësuar për këtë shqiptarët e Kosovës”, tha Kehoe, ku shtoi se kjo ndodhi para se klientët e tyre të vinin në Hagë dhe se shërbimet sekrete zvicerane e kanë marrë në mbrojtje Marty-n.

Tutje, ai citoi deklaratën e Dick Martyt ku thoshte se ishte marrë në mbrojtje për shkak të rrezikut të vrasjes së tij nga qarqe serbe me qëllimin për t’i fajësuar shqiptarët e Kosovës.

“Qëndrimi i marrëdhënieve që ka ZPS me organet serbe duhet të jetë në të njëjtin nivel që ka me të tjerët. Ne duhet të dimë se cila është origjina e dokumenteve që nxjerr ZPS para trupit gjykues, duhem të dimë nëse vijnë nga shërbimi serb apo organet hetuese të Serbisë. Kanosja që i është bërë Martyt vjen nga shërbimet serbe për të penguar drejtësinë në këtë çështje. Si rrjedhojë të gjitha dokumentet që sigurojnë nga shërbimet serbe apo zyra e prokurorisë duke patur parasysh historikun që ka të bëj me këto materiale, i gjithë ky është materiali i 103 dhe ky është argumenti që kemi. Këtu është një kanosje serioze dhe një mënyrë për ta zgjidhur këtë është të nxjerrin të gjitha dokumentet që marrin nga serbe dhe të na jepin neve”, tha Kehoe.

Tutje, avokati Ben Emmerson, që mbron Kadri Veselin ka thënë se në konferencën e fundit gjykatësi urdhëroi që dokumentet dhe informacioni që ZPS ka në zotërim deri në janar që ishte rreth 2500 dokumente duhet të analizoheshin dhe nxjerrshin.

“Në parashtrimet e kujdesshme me shkrim apo gojë na kanë thënë se kjo analizë ka përfunduar dhe dua sqarim nëse prokuroria po pohon se janë nxjerrë të gjitha dokumentet në bazë të rregullës 103 si rezultat i analizimit të materialeve deri në këtë ditë”, tha ai.

Sipas tij, është e rëndësishme që ZPS të mos lejohet të adoptojë një praktikë të nxjerrjes së materialeve shfajësuese pak çaste para se të vijë një dëshmitar për të dhënë dëshmi para trupit gjykues.

“Kur flitet për kërkime të posaçme pala e ZPS nuk po i bën këto kërkime tani apo nuk i ka përfunduar këto kërkime, në këtë mënyrë duke i lejuar vetes liri të pafundme. Dhe dua të lëshoni një urdhër që nëse nuk i kanë përfunduar këto kërkime deri në fillim të gjyqit të mos lejohen që këtë proces ta shtyjnë në pafundësi”, ka thënë Emmerson.

Ai tha se sa i përket materialeve që prokuroria dëshiron të analizoj para konferencës së ardhshme, tha se detyrimi i tyre është t’i nxjerrin të njëjtat para asaj konference.

“Nuk na ka treguar se cili është volumi i materialeve që duhej të ishte nxjerrë para 20 maj me redaktimet e duhura nëse do të ishte e nevojshme dhe materialet që nuk i kanë nxjerrë deri tani”, tha ai.

Sipas tij, ekzistojnë prova nga procesverbale e Tribunalit të Hagës që shërbimet e Serbisë kanë kërkuar të korruptojnë dëshminë e dëshmitarit para gjykatës, ku këtë një dëshmitar e ka pranuar.

“Ishte dërguar dëshmitar nga shërbimet serbe dhe dëshmia e tij ishte e rreme.  Janë dëshmi që shërbimi serb që nga niveli më i lartë i shefit të shërbimit serb për Kosovën kanë marrë pjesë në kanosje, kërcënim, ryshfet për individ të ndryshëm duke i detyruar të nënshkruajnë dokumente”, tha ai.

Ai tha se sa i takon prejardhjes së dokumenteve nga Serbia, nga përvoja e mëparshme, ka çuar në indicie që tregojnë probleme sepse Serbia është problem në vetvete lidhur me rregullën 103 dhe do të përbënte shkak pikërisht për ta quajtur një provë shfajësuese.

“Ka jurisprudencë të bollshme në TPNJ sa i përket këtyre aspekteve kur bëhet fjalë për besueshmërinë e këtyre çështjeve, sidomos kur provat vijnë nga Serbia”, tha ai.

Sipas tij, ajo që ka dal në korrespodencën mes Kehoe dhe ZPS-së është problem themelor që duhet zgjidhur sepse ka të bëj me detyrimet e nxjerrjes që bien si barrë mbi ZPS.

Ndër të tjera, Emmerson tha se  tha se prokuroria vazhdon të mbështetet tek një dëshmitar, që e përmendi me emër Nazim Bllaca, për të cilin tha se ka vdekur e se kanë informata që ka qenë i paguar nga Serbia, aset serb

Në anën tjetër, avokati David Young ka thënë se pretendimet lidhur me Dick Marty, siç u përmendën nga Kehoe nuk janë të izoluara por bëjnë pjesë e një modeli sjellje më në përgjithësi që përfshin një bashkëpunim midis elementeve të shërbimeve serbe dhe ruse për të fajësuar në mënyrë të rremë UCK, kosovarët dhe katër të akuzuarit.

“Është e palejueshme të mos mendohet se prejardhja e këtyre provave mund të mos prek besueshmërinë e tyre dhe që prima facie bien në kategorinë e rregullës 103”, tha ai.

Tutje, ai tërhoqi paralele mes rastit të Kosovës dhe Ukrainës, ku tha se edhe raportet ruse në media kanë pretendime të rreme dhe disinformacion sa i përket trafikimit të organeve nga ukrainasit.

Aydan Ellis, avokat i Jakup Krasniqit, tha se mbështesin të gjitha parashtrimet e bëra sa i përket provave që vinë nga pala serbe.

“Parashtrimi ynë është se ajo që është thënë sot që është një ndërhyrje e vazhdueshme serbe si është rasti i incidentit në kafiterinë Panda në vitin 1998 dhe atë të zotit Marty tani”, tha ai.

Tutje,  prokurori tha se kanë përfunduar shqyrtimin fillestar dhe se çdo gjë është nxjerrë ose do të nxirret çka ka mbetur gjatë ditës të sotme.

“Ka lidhej me vigjilencën që të kujdesem që në çdo moment kemi verifikuar sa më shumë sa i takon rregullit 103 dhe po bëjmë çmos të bëjmë gjithçka si një garanci gjatë gjithë procesit”, tha Hoëling.

Ai tha se sa i përket çka u tha gjatë kësaj konference nga mbrojtja, ata në vend që tu dërgojnë mbrojtja apo ta ngrehin këtë gjë pa parashikuar në rendin e ditës, mjafton tu tregojnë bazën ligjore dhe faktike dhe ZPS do të përgjigjej si duhet dhe se mendojnë se kjo përbën moskuptim nga ana e tyre e objektit sa i përket rregullës 103.

Ndërkaq, Kehoe ka deklaruar se duhet pasur parasysh edhe pretendimet e rreme duke përfshirë gjithçka që dinë që bëjnë autoritetet serbe si mund të thuhet se nuk cenojnë besueshmërinë apo provat e ZPS, nëse kanë ardhur të njëjtat nga autoritetet serbe.

Prokurori ka thënë se nuk kanë zyrë në Beograd, ashtu si më parë pretendoi gjatë seancës Kehoe.

Kurse, Emmerson tha se duan t’i  thuhet mbrojtjes se cilat janë hollësitë e bashkëpunimit.

“Është e vetëkuptueshme që çdo gjë vjen nga Serbia me konfliktet mes Serbisë dhe Kosovës vjen nga burimet e tyre dhe është nga një burim i papastër dhe nëse prokuroria nuk i ka këto dhe nuk ka përmbushur këtë detyrim të nxjerrjes në këtë bazë deri tani është problem urgjent dhe shumë i rëndë sepse nëse i kanë interpretuar gabim detyrimet e tyre, nuk ka mundësi që trupi gjykues të lejoj procedimin deri në fund në bazë të dëshmitarëve që janë fabrikuar apo nxitur për të dhënë dëshmi”, tha tutje ai.

Emmerson tha se bëjnë pyetje se prokuroria mban këtë qëndrim të pajustifikueshëm për të mos treguar shkallën se deri ku po diskutojnë me një burim të njëanshëm, duke iu referuar Serbisë.

“Vet pretendimi për trafikimin e organeve, i vetmi dëshmitar që ka dëshmuar për heqjen e paligjshme të organeve është dëshmitari që përmendi më parë që më pas pranoi se ishte gënjeshtër dhe se e kishin detyruar”, tha ai.

Tutje, tha se Serbia vazhdon të bëj fushatë për të mposhtur pavarësinë e Kosovës dhe shkalla që kanë bashkëpunuar me ZPS është i ndikuar nga qëndrimet politike që ka mbajtur Serbia.

“Për këtë temë ftoj palët të paraqesin parashtrime me shkrim duke pas parasysh se do ti jap përparësi kësaj çështje dhe ftoj mbrojtjen që ta mbështesin me prova kërkesën e tyre dhe prokurorinë të përgatis argumentet e veta. Ftoj palët të kenë parasysh jurisprudencën aktuale të tribunaleve ndërkombëtare”, ka thënë Guillou.

Lidhur me materialet e rregullës 103, gjykatësi ka pyetur se pse ZPS thotë se duhet të vazhdoj nxjerrja edhe gjatë gjykimit dhe nuk do të jetë në gjendje të nxjerr të njëjtat deri në korrik 2022 e jo si ishte paraparë me udhëzimin e punës.

Prokurori Howling ka thënë se sa i takon çështjes për parashtrimet për materialet e rregullës 102 (3) sa u takon masave mbrojtëse, ai tha se nuk kanë ndonjë datë për momentin.

“”Sa i takon kalendarit dhe praktikës së çështjeve tjera ë vunë në dukje, dhe kohën e detyrimeve tona, parashtrimet tona me shkrim kanë përcaktuar një vlerësim agresive por të mundshëm mendojmë ne për nxjerrjen e materialeve në bazë të 102 (3). Në konferencën e 11 thamë se kemi bërë 10 mijë nxjerrje të materialeve, në këtë konferencë janë bërë 14 mijë. Tani propozojë të nxjerrim edhe 40 mije  të tjera. Po e marrim seriozisht detyrimin tonë, ka një kufi sa mund të bëj njeriu dhe sa resurse mund të përdor”, tha ai.

Holwing ka thënë se mund të nxjerrin të gjithë përmbajtjen e rregullës 102 (3) sot me një shtypje butoni nëse nxjerrja e provave është e vetmja gjë që i shqetëson, por se procesi i nxjerrjes kërkon kontrolle, përpunime në mënyrë që të sigurohen që njerëzit të mbrohen dhe se e kanë thënë vazhdimisht nevojën për masat mbrojtëse duke pas parasysh klimën e frikësimit të dëshmitarëve në Kosovë.

Sipas tij, kjo klimë ekziston dhe është konstatuar në aktgjykimin ndaj Gucatit Haradinaj.

“Nxjerrja kërkohet në një kohë të paarsyeshme duke pas parasysh shkallën e procesit sepse hedhim poshtë nevojën e masave mbrojtëse”, tha ai, duke iu referuar mbrojtjes.

Tutje, prokurori tha se nuk po thonë që ky rregull nuk është i rëndësishëm.

“Materialet e kësaj rregulle nuk janë të rëndësishme për përgatiten e mbrojtjes, janë relevante për çështjen, por është një standard më i ulët. Kjo do të thotë se ekipet e mbrojtjes gjithmonë zgjedhin dokumente që nuk kanë gjasa të jenë të rëndësisë materiale për përgatitjen e tyre, megjithatë iu kemi nxjerrë sepse është më e thjesht t’ua nxjerrësh se sa t’i kundërshtosh”, tha ai tutje.

Sipas tij, mbrojtja ka të drejtë të zgjedh çfarëdo materiali nga kjo rregull dhe do ia japin sa më shpejtë të jetë e mundur dhe se janë të interesuar të përshpejtojnë procesin.

“Kur të përfundo ky rishikim do të rriten dhe kemi thënë se do të bëjmë shumë më tepër deri në 22 korrik që keni vënë ju në dukje. Deshëm të theksonim se ajo që parashtron  mbrojtja për përgatitjen e dosjes paraprake nuk janë kushte reale, janë listë me dëshira që nuk kanë lidhje me skemën ligjore dhe mund ta shihni në parashtrimin ne mbrojtjes së Veselit ku ata duan të din 6 muaj përpara çdo gjë që lidhet me dëshmitarët e ZPS para se të përgatiten për dosjen paraprake”, tha ai.

Sipas tij, ajo që mbrojtja ka nevojë më shumë veçse e kanë dhe se pjesa tjetër do u shkoj në formë të përshpejtuar.

Avokati Kehoe tha se kur prokurori ngritët dhe paraqet një argument të tillë mund të quhet vetëm alarmues dhe asgjë nga ato që tha nuk janë të vërteta.

“Prokurori ngrihet para ush thua sikur i kanë përmbushur gjitha afatet dhe urdhrat tuaja, se kanë vepruar në kohën e duhur, ju qeshni sepse është qesharake kjo që thonë, të çohet para jush e të thotë se kemi respektuar të gjitha detyrimet për të nxjerrë materialet dhe vë në dukje faktin se nxjerrja e materialeve është kyç që lidhet në formë shumë të rëndësishme me paraburgimin dhe të akuzuarit janë këtu nga nëntor i 2020 dhe duan të ecin drejt gjykimit. Është një fakt i vogël që prokurori e harroj, kur çështja u paraqit para jush, ZPS tha pa u dridhur qerpiku se çështja do të shkonte në gjyq në pranverën e 2021 dhe se do ishin të gatshëm të fillonte gjyqi dhe megjithatë nuk kanë përmbushur detyrimet e nxjerrjes së materialeve”, tha ai.

Sipas tij, ata kanë nevojë për këto dokumente dhe se ekipi i tij nuk ka kohë të bëj gjëra që nuk i duhet të bëj e se prokurori duhet të urdhërohet të bëj punën e vet që çështja të ec përpara e kaloj në gjyq.

“ T’i lërë këto budallallëqet se ka përfunduar të gjitha urdhrat e juaja”, tha ai.

Annie O’Riley, pjesë e ekipit të Veseli, tha se kanë kërkuar që dokumentet të kenë numra e cross reference që t’i dinë e heqit nga lista kur i kërkojnë.

“Nëse duan të kundërshtojnë rëndësinë materiale të këtij materiali, le ta bëjnë dhe do t’i përgjigjemi por këtë problem e ka krijuar ZPS e jo ne dhe së fundi nuk kanë thënë se kur do jenë në gjendje të përfundojnë obligimin e tyre për artikujt që kemi kërkuar”, tha ajo.

Avokati Young ka thënë se prokuroria thotë që në të ardhmen mund të vë në dukje disa kundërshtime me rëndësinë materiale.

Pse e thotë tani? E dini që gjatë disa konferencave e kam vënë në dukje se asnjë ide nuk është dhënë, nuk është në dukje se do të bëjnë kundërshtime për rëndësinë materiale, tani ata thonë se do të kundërshtojmë aspektin e rëndësisë materiale. Pse nuk u vu në dijeni gjykata më parë dhe do të trajtohet problemi më herët në mënyrë që të mos humbin kohë”, tha Young.

Ndërkaq, avokati Ellis tha se nuk pranon se parashtrimet e tyre kanë qenë të pavërteta

“”Materialet e rregullës 102 (3) sipas përkufizimit janë me rëndësi për mbrojtjen dhe e kemi marrë këtë formulim nga vet ky rregull. E dyta, është ajo që ngriti Riley se në fund të ditës prokuroria i futi këto në listë duke menduar se ishin me rëndësi. Në disa konferenca, ka vënë në dukje dhe mbrojtja e Selimit kemi kërkuar çfarë test relevenace është përdorur dhe prokuroria ka thënë se kanë kaluar testin. Ne vazhdojmë të gjejmë se dokumente të futura në listën e kësaj rregulle dalin befas në rregullën 103 që ka të bëj me listën e materialeve. Pra, prokuroria e ka ditur që janë materiale shfajësuese, janë 12 dokumente, një grup tjetër materialesh shfajësuese”, tha ai.

Tutje, tha se secila nga paketat që janë nxjerrë jo që ishin me rëndësi për përgatitjen e mbrojtjes, por në fakt ishin shfajësuese.

Gjyqtari tha se dëshiron të përçoj te trupi gjykues një dosje të pastër dhe se ka ndërmend të transferoj një dosje gjyqësore ku mbrojtja të ketë në dispozicion të gjitha provat që ka të drejtë t’i ketë.

Ai pyeti sërish ZPS-në se kur vlerëson se mund të përmbyll nxjerrjen sipas rregullës 102 (3) në lidhje me kërkesat që janë bërë tashme nga ekipet e mbrojtjes dhe tha se nga nxjerrja e materialit varet edhe pjesa tjetër e fazës paraprake.

Prokuroria tha se dëshirojnë të konsultohen dhe pas pushimit do të japin mendimin e tyre.

 

Shtyhet sërish fillimi i konferencës ndaj Thaçit e të tjerëve, fillon në 16:15

 

(Përditësuar, ora 16:00)Është shtyrë sërish fillimi i konferencës së 12-të për ecurinë e çështjes në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Kjo është bërë e ditur nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

“Ju informojmë se konferenca mbi ecurinë e çështjes Thaçi dhe të tjerët do të fillojë më vonë se në orarin e planifikuar (në orën 15:30 në sallën e gjyqit ose në orën 16:15 në transmetimin në internet)”, thuhet në njoftimin e tyre.

 

Shtyhet për gjysmë ore fillimi i konferencës së 12-të për ecurinë e çështjes në rastin Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi

 

Konferenca e 12-të për ecurinë e çështjes në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, do të filloj me 30 minuta vonesë.

Kjo është bërë e ditur nga Dhomat e Specializuara të Kosovvës në Hagë.

Ju informojmë se konferenca mbi ecurinë e çështjes Thaçi dhe të tjerët do të fillojë 30 minuta më vonë se në orarin e planifikuar (në orën 15:00 në sallën e gjyqit ose në orën 15:45 në transmetimin në internet)”, thuhet në njoftim të tyre.

Konferenca mbi ecurinë e çështjes gjyqësore parashihet me rregullën 96 të Rregullores së Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, më 29 prill, Zyra e Prokurorit  të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Seminishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen me forcë e personave dhe persekutimin.

Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe  vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, dhe persekutimin.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit t përbashkët.

“Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë