Shtyhet në kohë të pacaktuar seanca për rastin ku ish-punëtori i kompanisë “IPKO” akuzohet për përvetësim të mbi 2 mijë eurove

IMG_9197
Author

Raporton: Blinerë BEKA

Prill 8, 2021

Prishtinë – Mungesa e të akuzuarit për shpërdorim të pasurisë së huaj, Valmir Kapiti, ka bërë që të shtyhet në kohë të pacaktuar seanca e paraparë për të enjten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Gjykatësi Adnan Kamberi tha se në bazë të fletë kthesës së pranuar, bëhet e ditur se fletë dorëzuesit nuk kishin arritur ta gjenin adresën e saktë të të akuzuarit Kapiti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këto rrethana, gjykatësi tha se do përcjellë urdhëresë për verifikim të adresës së të akuzuarit.

Pas kësaj, prokurori Besart Mustafa kërkoi të bëhet përmirësimi i aktakuzës në të dhënat personale të të pandehurit, përkatësisht të dhënat lidhur me fshatin, bazuar në ato të parashtruara nga e dëmtuara në kallëzim penal.

Në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancës, gjykatësi Kamberi e shtyu atë në kohë të pacaktuar, për çka tha se palët do të njoftohen me ftesa të rregullta.

Ndryshe, i pranishëm në sallë të gjykimit ishte edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Isamedin Dedinca.

Duke u bazuar në aktakuzën e ngritur më 13 nëntor 2019, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Valmir Kapiti akuzohet se me 6 gusht 2018, në Prishtinë, me qëllim të përdorimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, ka përvetësuar pasurinë e cila i është besuar atij, ashtu që duke qenë punëtor i shitjes së kartelave të kompanisë “IPKO”, nga shitja totale e kartelave në vlerë prej 5,182.50 euro, ka deponuar në bankë vetëm shumën 2,553,00 euro, kurse shumën prej 2,269.50 euro e ka përvetësuar për vete, me çka kompanisë “IPKO” i ka shkaktuar dëm material.

Për këtë, Kapiti po akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i pasurisë së huaj” nga neni 330, paragrafi 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi