Shtyhet në kohë të pacaktuar gjykimi ndaj të akuzuarës për sulm ndaj policit

20190701_102115
Author

Raporton: Mirjeta PLAKIQI

Shkurt 23, 2021

Drenas- Mungesa e të akuzuarës për sulm ndaj personit zyrtar, Sabije Barqi, është bërë shkak për dështimin e mbajtjes së seancës  fillestare, e paraparë për të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Drenas.

Lidhur me mungesën e të akuzuarës Barqi, gjykatësi i rastit, Shefqet Baleci, ka njoftuar se gjykata më 27 tetor 220, Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Kosovës, Departamentit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Prishtinë, i ka parashtruar kërkesë për Ndihmë Juridike Ndërkombëtare në Republikës e Shqipërisë, në qytetin e Tiranës, për të i dorëzuar fletë dërgesën për dorëzim personal, thirrjen për shqyrtim kryesor dhe aktakuzën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Bazuar në fletë kthesën e Postes së Kosovës, vërtetohet se kjo kërkesë është pranuar me 02 nëntor 2020, mirëpo gjykata deri më tani nuk është informuar asgjë lidhur me këtë kërkesë, përkatësisht, nëse të akuzuarës i janë dorëzuar shkresat, ka thënë gjykatësi Baleci.

Bazuar në këto rrethana ka marr vendim që shqyrtimi të shtyhet në kohë të pa caktuar.

Gjykata për ndërmarrjen e veprimeve të më tutjeme procedurale për caktimin e shqyrtimit, do të veproj pasi që të njoftohet lidhur me këtë kërkesë nga ana e Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Kosovës.

Në sallë ishte i pranishëm prokurori Musa Mehaj.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur me 3 gusht 2020, e pandehura Sabije Barqi, pretendohet se ka kryer veprën penale “ Sulm ndaj personit zyrtar” nga neni 402 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se me 25 nëntor 2019, rreth orës 17:50, në fshatin Arllat, në hyrje të autostradës në pikën e kontrollit në Gjurgjicë/Prizren, deri sa zyrtari policor Fidan Ademi, tani i dëmtuari i cili ka qenë bashkë me zyrtarin policor Fidan Bajrami, ka dhënë shenjen e ndalimit drejtuesit të automjetit të tipit “Porche”, për arsye të tejkalimit të shpejtësisë së lejuar në atë pjesë të rrugës.

Tutje thuhet se pasi që të njëjtit i është komunikuar shqiptimi i kundërvajtjes dhe sekuestrimi i patente shoferit, e pandehura ka dal nga automjeti edhe pse zyrtarët policorë i kanë dhënë urdhrin verbal që të hyn në automjet dhe duke mos e përfillur urdhrin zyrtar ju është drejtuar me fjalët se “ ne kemi njerëz ju tregojmë se kush jemi”, dhe e ka sulmuar të dëmtuarin gjatë kryerjes së detyrave zyrtare në atë mënyrë që e ka goditur në kokë në pjesën e veshëve.

Me veprimet e të pandehurës pretendohet se i dëmtuarit ka pësuar skuqje në dy laprat e veshit dhe gërvishje në laprën e veshit të djathtë, të cilat lëndime bëjnë pjesë në dëmtime të lehta trupore dhe dëmtim  të përkohshëm të shëndetit. /BetimipërDrejtësi