Shtyhet gjykimi për rrezikim të trafikut publik, ku u lënduan 26 persona

20191023_140405 (5)
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Nëntor 20, 2020

Pejë – Të premten, në Gjykatën Themelore në Pejë, është shtyrë gjykimi për rrezikim të trafikut publik, ndaj të akuzuarit Sabit Kurti.

Seanca fillestare është shtyrë me kërkesën e prokurorit Astrit Gashi, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Para leximit të aktakuzës, prokurori Gashi ka thënë se kjo seancë është e nevojshme të shtyhet me qëllim të plotësimit ose ndryshimit të dispozitivit të aktakuzës, duke marrë për bazë faktin se disa të dëmtuara kanë lëndime të lehta trupore, dhe disa të tjera kanë lëndime të rënda trupore.

Kjo për faktin se sipas prokurorit Gashi, Kodi i Ri Penal i Kosovës pasojat me lëndime të lehta trupore nga aksidenti i trafikut, i përjashton nga vepra  penale ‘‘Rrezikimi i trafikut publik’’, neni 370.

Propozimin për shtyrje të seancës nuk e kundërshtoi përfaqësuesi i të akuzuarit sipas detyrës zyrtare, avokati Gani Kelmendi dhe as i akuzuari Kurti, e më pas e aprovoi edhe gjyqtari Sabit Kurti.

Kurse seanca e radhës u caktua më 8 dhjetor 2020, në ora 13:30.

Sipas aktakuzës së ngritur më 12 dhjetor 2018, Prokuroria Themelore në Pejë, i pandehuri Sabit Kurti akuzohet se me 5 maj 2018, në rrugën Istog- Novosellë, pikërisht në vendin e quajtur Dydesh, në fshatin Jabllanicë e Vogël, Komuna e Pejës, ka shkelur nenin 53 par.1 të Ligjit Nr.05/L-088 për Rregullat e Trafikut Rrugor, rrezikon trafikun me autobus, me ç’ rast ka rrezikuar jetën dhe pasurinë e njerëzve, duke i shkaktuar lëndime 26 personave, prej të cilave 21 kanë pësuar lëndime të lehta trupor dhe 5 të tjera lëndime të rënda.

Lidhur me këto veprime, Sabit Kurti akuzohet për veprën penale ‘‘Rrezikimi i trafikut publik’’, nga neni 378 par.8 lidhur me par.6 dhe par. 2 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi