Shtyhet gjykimi për rastin ku i aksidentuari kërkon mijëra euro kompensim nga kompania “SIGKOS”

Gjykata Themelore ne Prizren
Author

Raporton: Liridon PNISHI

Nëntor 20, 2020

Prizren – Të premten, në Gjykatën Themelore në Prizren, ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit kryesor, në rastin ku Mert Flugini po kërkon kompensim dëmi nga kompania e sigurimeve “SIGKOS”.

Shkak për mos mbajtjen e kësaj seance ishte mungesa e përfaqësuesit të palës së autorizuar, për të cilin gjyqtarja Edije Sezairi deklaroi se ka pranuar një telefonatë, përmes të cilës përfaqësuesi i palës së paditur e ka njoftuar se ka probleme shëndetësore dhe nuk mund të jetë i pranishëm në gjykim, raporton “Betimi për Drejtësi”

Pas që nuk pati kushte për mbajtjen e kësaj seance, e njëjta u caktua të mbahet me 22 dhjetor 2020, në ora 13:30.

Sipas padisë, më 1 gusht 2015, rreth orës 21:30, në rrugën “Gani Saramati” në Prizren, ka ndodhur aksidenti i komunikacionit, ashtu që ngasësi i automjetit “VW Passat”, i cili në momentin kritik drejtohej nga Arianit Morina, duke mos e përshtatur shpejtësinë kushteve dhe rrethanave të rrugës, bën kthimin e pasigurt dhe me pjesën e përparme e godet motoçikletën e markës “Tomos”, e cila motoçikletë në momentin kritik drejtohej nga i dëmtuari Mert Flugini.

Sipas padisë, si pasojë këtij aksidenti lëndime të rënda trupore me pasojë për jetë merr vozitësi i motoçikletës Mert Flugimi, i cili së pari merr trajtimin në Spitalin Rajonal në Prizren, më pastaj në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë, me udhëzimin e kosoliumit të mjekëve dërgohet për shërim të mëtutjeshëm jashtë vendit përkatësisht në Republikën e Turqisë.

Në padi thuhet se paditësi në kohën e aksidentit ka pasur të krijuar marrëdhënie pune me punëdhënësin “Bechtel Enka”, e cila marrëdhënie e punës është ndërprerë për shkak të lëndimeve të mara në këtë aksident.

Tutje, thuhet se për shkak të lëndimeve të marra, paditësi edhe më tej vazhdon të mos jetë në gjendje të krijojë marrëdhënie punë, duke pasur edhe fitim të humbur si pasojë e lëndimeve të marra në aksident, me ç’rast për shumën e përllogaritjes së saj, është propozuar gjykatës nxjerrja e provës me anë të ekspertizës së aktuar.

Sipas padisë, pala paditëse kërkon që pala paditur të bëjë pagesën për kompensimin e dëmit material dhe jo material për paditësin Mert Flugini dhe atë, për dhimbje fizike shumën prej 5,000 euro; për frikë shumën prej 4,000 euro; për shëmtim trupor shumën prej 4,500 euro; për zvogëlim të aftësive jetësore shumën prej 10,000 euro; për fitim të humbur shumën prej 5,000 euro; për rehabilitim fizioterapeutik- shërim klimatik shumën prej 1,000 euro; për ndihmën e personit të tretë shumën prej 500 euro; për ushqim shumën prej 500 euro; për shpenzimet e mjekimit shumën prej 10,000 euro; për veshmbathje shumën prej 200 euro, duke llogaritur edhe kamatën në shumë prej 8% vjetor nga dita e aksidentit deri në pagimin definitiv, shpenzimet gjyqësore sa do të jenë ato, të gjitha këto në afat prej 15 ditësh pas pranimit të këtij aktgjykimi, nën kërcënimin e përmbarimit të dhunshëm. /BetimipërDrejtësi