Shtyhet gjykimi për korrupsion për shkak të gjendjes së rënduar fizike të të akuzuarit i cili gjendet në mbajtje të dënimit

121694694_2843200559289689_6131431393372212893_n
Author

Raporton: Teuta GASHI   

Tetor 15, 2020

Gjilan – Është shtyrë gjykimi ndaj të akuzuarve Baki Azemi, Valon Shefkiu, Shkëndije Mahmuti – Hajdini, dhe Merita Cana – Shabani të cilët akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Shkak i dështimit të kësaj seance ishte mungesa e të akuzuarit Baki Azemi i cili gjendet në mbajtje të dënimit në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Agim Ademi tha se institucioni në fjalë i ka dorëzuar kësaj gjykate një raport njoftues, përmes së cilit thuhet se Baki Azemi për shkak të gjendjes së rënduar psikike dhe një sëmundjeje kronike endokrinologjike, nuk mund të paraqitet së gjykimin e sotëm ku të njëjtit i është dhënë pushim mjekësor në afatin kohor prej një jave.

Në mungesë të të akuzuarit në fjalë, gjykatësi Ademi seancën e radhës e caktoi më 11 nëntor, me fillim nga ora 09:30.

Kujtojmë që kjo çështje penalo juridike është rikthyer tri herë në rigjykim nga Gjykata e Apelit me çka të akuzuarit në fjalë çdo herë janë liruar nga akuza.

Gjykata Themelore në Gjilan më 4 dhjetor 2019 në kuptim të nenit 364 paragrafi 1 nënparagrafi 3 të Kodit të Procedurës Penale kishte liruar të akuzuarit e lartcekur nga akuza me arsyetimin se nuk është vërtetuar që të njëjtit kanë kryer veprat penale të cilat iu vihen në barrë përmes aktakuzës.

E pakënaqur ndaj këtij vendimi, Prokuroria Themelore në Gjilan në afat kohor ka ushtruar ankesë drejtuar Gjykatës së Apelit me pretendimin se aktgjykimi mbështetet në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, dhe shkeljes së ligjit penal, me propozimin që aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë të anulohet dhe çështja të rikthehet në rigjykim.

Në ankesën e ushtruar nga ana e Prokurorisë, Gjykata e Apelit gjeti se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është i paqëndrueshëm sepse i njëjti përmban shkelje esenciale të dispozitave ligjore me çka kjo gjykatë ishte bazuar në lirimin e të akuzuarve nga akuza.

Tutje, Gjykata e Apelit gjeti se në aktgjykimin e shqiptuar gjendet një numër i madh i kontradiktave përkitazi me atë që paraqitet në arsyet e aktgjykimit lidhur me përmbajtjen e dokumenteve dhe procesverbaleve ashtu që më tepër ky aktgjykim aludon në supozime se sa në fakte dhe prova konkrete.

Arsyet e theksuara në aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë sipas Gjykatës së Apelit janë të pa qarta dhe konfuze, ngase, derisa në fillim të arsyetimit konstatohet se janë vërtetuar faktet dhe rrethanat përkitazi me mosveprimin e të akuzuarve në drejtim të ndërmarrjes së veprimeve për rrënimin e objektit, më pas konstatohet se të akuzuarit nuk kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen.

Bazuar në një numër kaq të madh të kontradiktave dhe paqartësisë së përmbajtjes së këtij aktgjykimi, Gjykata e Apelit ka marrë si të bazuar ankesën e bërë nga Prokuroria dhe e njëjta ka anuluar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, duke e rikthyer këtë çështje sërish në rigjykim.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan më 4 shkurt 2016 ka ngritur aktakuzë kundër Baki Azemit, Shkëndije Mahmutit dhe Merita Canajt sepse gjatë periudhës kohore të vitit 2013/2014 në Gjilan, në cilësi të inspektorëve ndërtimorë, në bashkëkryerje duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose për të tjerët, nuk i kanë përmbushur detyrat e përcaktuara me ligj ashtu që duke mos ndërmarrë veprimet zyrtare që kanë qenë të detyruar t’i ndërmarrin lidhur me rrënimin e objekteve pa leje, edhe pse kanë qenë në vizitë të objektit të ndërtuar në rrugën “Adem Jashari”, pronar i të cilit është Vllaznim Baxhuku dhe Bashkim Baxhuku, të njëjtit kanë konstatuar sipas procesverbaleve se ky objekt është ndërtuar pa leje ndërtimi, ndaj të cilit objekt është nxjerrë aktvendim për ndërprerjen e punimeve si dhe aktvendim për rrënimin e objektit.

Edhe pse të pandehurit e lartcekur kanë qenë të pajisur me aktvendimet, të njëjtit nuk e kanë ekzekutuar masën për rrënim të objektit pa leje, përkundër obligimeve që rrjedhin nga përshkrimi i detyrave të punës, duke i shkaktuar dëm Komunës së Gjilanit, ndërsa pronarëve të objektit, Vllaznim dhe Bashkim Baxhuku përfitim pasuror.

Në këtë mënyrë, ata në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar”, nga neni 422 paragrafi 2, pika 2.2 lidhur me paragrafin 1 e nenin 31të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas dispozitivit të dytë të aktit akuzues, të pandehurit Baki Azemi, Shkëndije Mahmuti dhe Merita Canaj më 13 shkurt 2014 në Gjilan, në rrugën “Xhemajl Mustafa”, të pandehurit në cilësi të inspektorëve ndërtimorë, në bashkëkryerje për përfitim për vete ose për të tjerët, duke mos ushtruar detyrat ashtu siç edhe janë të udhëzuar që t’i kryejnë në cilësinë e inspektorëve, të njëjtit nuk kanë rrënuar objektin në këtë rrugë, pronar i të cilit është Mehmedali Osmani edhe përkundrejt asaj që në objektin në fjalë është tejkaluar leja e ndërtimit.

Me këto veprime ata në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar”, nga neni 422 paragrafi 2, pika 2.2 lidhur me paragrafin 1 e nenin 31të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjithnjë sipas dispozitivit të tretë të aktakuzës, të pandehurit Valon Shefkiu, Shkëndije Mahmuti dhe Merita Canaj, në periudhën 2013-2014, në rrugën “Xhorxh Ëashington”, të pandehurit në cilësi të inspektorëve ndërtimorë përkundrejt aktvendimeve të marra për ndërprerjen e punimeve dhe rrënimin e objektit pronar i të cilit është Agron Morina, të njëjtit nuk kanë ndërmarrë veprimet të cilat me ligj do duhej t’i ndërmerrnin, duke lejuar kështu ndërtimin e një objekti të cilit i është tejkaluar leja e ndërtimit.

Në këtë drejtim ata në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar”, nga neni 422 paragrafi 2, pika 2.2 lidhur me paragrafin 1 e nenin 31të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Tutje, në dipsozitivin e katërt të aktakuzës thuhet se të pandehurit Baki Azemi, Shkëndije Mahmuti dhe Merita Canaj të njëjtat veprime sikurse në dispozitivët e larteckur, të njëjtit i kanë ndërmarrë në lejimin e një objekti në fshatin Shillovë, me pronar Ibrahim Bucaliu, në Komunën e Gjilanit duke keqpërdorur kështu pozitën apo autoritetin e tyre zyrtar në cilësinë e inspektorëve të ndërtimit, me çka kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar”, nga neni 422 paragrafi 2, pika 2.2 lidhur me paragrafin 1 e nenin 31të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në dispozitivin e pestë të saj, të pandehurat Shkëndije Mahmuti dhe Merita Canaj duke keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar kanë lejuar ndërtimin e një objekti në rrugën “Medllin Ollbrajt”, pronar i të cilës është Jeton Nuredini, ashtu që përkundër aktvendimit për rrënimin e objektit, të njëjtat kanë lejuar vazhdimin e punimeve.

Me këto veprime ato në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale penale “keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar”, nga neni 422 paragrafi 2, pika 2.2 lidhur me paragrafin 1 e nenin 31të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi