Shtyhet gjykimi për kompensim dëmi në vlerë prej 475 euro

Gjykata 2 (2)
Author

Raporton: Avni BERISHA

Shkurt 23, 2021

Rahovec- Ka dështuar të mbahet seanca përgatitore, e paraparë për të martën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë dega Rahovec, në çështjen civile ku e dëmtuara “Stone Castle”, kërkon ti kompensohet  shuma prej 475 euro, nga i padituri Milazim Morina.

Shkak për shtyrjen e kësaj seance ka qenë kërkesa e përfaqësuesit të të paditurit, avokatit Rasim Hoti, që seanca e sotme të shtyhet pasi që i njëjti nuk ishte i pajisur me shkresa të lëndës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Pasi që u njoftova nga i padituri dhe pasi që të njëjtin e kam përfaqësuar në procedurë penale, gjykatës i propozoj që të pajisem me shkresa të lëndës për këtë procedurë dhe këtë seancë ta caktoj për një ditë tjetër”, tha avokati Hoti.

Një propozim të tillë nuk e ka kundërshtuar përfaqësuesi i “Stone Castle”, Ram Avdijaj.

Pas këtij deklarimi gjyqtari Behluli, ka aprovuar kërkesën e përfaqësuesit të të paditurit, ndërsa seancën është shtyrë me 15 mars 2021, me fillim në ora 10:30.

Sipas padis të parashtruar me 21 dhjetor 2018, i padituri Milazim Morina me 21 tetor 2012, ka vjedhur nga e dëmtuara”Stone Castle”, 60 shtylla betoni, për këtë rast Stacioni Policor në Rahovec, ka paraqitur kallëzim penal pranë Prokurorisë Kompetente dhe në fund pran Gjykatës Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec është zhvilluar procedurë penale kundër të paditurit.

Në padi thuhet se Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, me aktvendimin të datës 30 tetor 2018, ka hudhur aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë të datës 06 dhjetor 2013, është pushuar procedura penale kundër të akuzuarit Morina, për shkak të parashkrimit apsolut të ndjekjes penale.

Tutje në padi thuhet se në paragrafin tre të dispozitivit të aktvendimit gjykata ka vendosur si vijon: “Pala e dëmtuar “Stone Castle” me seli në Bërrnjakë-Rahovec, për realizimin e kërkesës pasurore juridike, udhëzohet në kontest të rregullt juridiko-civil”.

Andaj në bazë të kësaj e dëmtuara “Stone Castle” ka ngritur padi ndaj paditësit për kompensimin e dëmit në vlerë prej 475 euro./BetimipërDrejtësi