Shtyhet gjykimi për dy vepra penale të korrupsionit ndaj zyrtarit të KRU “Mitrovica”

Amiri
Author

Raporton: Amir BUNJAKU

Nëntor 18, 2019

 


Mitrovicë – Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, të hënën, është shtyrë gjykimi ndaj ish-zyrtarit financiar në Kompaninë Rajonale Ujësjellësi (KRU) “Mitrovica”, Vehbi Braha, i cili po akuzohet për dy vepra penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Braha, akuzohet se në vitin 2014, ka lejuar blerjen e mjeteve dhe lidhjen e një kontrate për shërbime të telefonisë mobile me “IPKO”, ku është bërë edhe dorëzimi i 206 telefonave për zyrtarë të kësaj kompanie pa procedurë të prokurimit.

Gjithashtu, ai akuzohet se ka lejuar blerjen e dy gomave të brendshme të ekskavatorit dhe mjete të tjera në vlerë prej rreth dymijë eurosh, pa procedurë të prokurimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Shkak për shtyrjen e shqyrtimit gjyqësor ka qenë propozimi i prokurorit, Njazi Rexha, që në fjalën hyrëse të prezantojnë edhe përfaqësuesit e KRU “Mitrovica”, dhe përfaqësuesit e IPKO-së.

I akuzuari Braha, nuk e ka kundërshtuar propozimin e prokurorit Rexha, kurse gjykatësi, Bekim Veliqi, ka marrë aktvendim për aprovim të propozimit dhe ka shtyrë gjykimin për 2 dhjetor 2019, në ora 09:30.

Ndërkaq, sa i përket mungesës së dëshmitarëve Visar Merovci dhe Ferki Behxheti, gjykatësi ka deklaruar se do të ndërmerren veprime ligjore për sigurimin e tyre në seancën e ardhshme.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 31 tetor 2018, Vehbi Braha, po akuzohet se në cilësinë e zyrtarit të lartë financiar në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit në Mitrovicë, ka kryer dy vepra penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës, më 8 gusht 2014, në cilësinë e zyrtarit të lartë financiar në këtë kompani, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, duke i lejuar Driton Abazit blerjen e dy gomave të brendshme të ekskavatorit dhe mjete të tjera në vlerë prej 1.784.00 euro në D.P.Z “Merovci” në Mitrovicë, pa procedurë të prokurimit, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, ku përcaktohet se furnizimet/shërbimet mund të paguhen më para të gatshme kur vlera e tyre nuk e tejkalon totalin prej 100 euro.

Ndërkaq, në pikën II të aktakuzës, ai akuzohet se më 15 korrik 2014,  në cilësinë e njëjtë zyrtare, në bazë të kontratës për shërbime të telefonisë mobile të nënshkruar ndërmjet kompanisë “IPKO” dhe Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit në Mitrovicë, si abonues, nga “IPKO” është bërë dorëzimi i gjashtë telefonave të llojit “Samsung Galaxy S4” dhe 200 telefona të llojit “Samsung E 1200” në vlerë totale prej 6.102.00 euro, në kuadër të marrëveshjes së arritur, pa procedurë të prokurimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik nr.04/L-42, ku përcaktohet se furnizimet/shërbimet mund të paguhen në para të gatshme kur vlera e tyre nuk e tejkalon totalin prej 100 euro. /BetimipërDrejtësi