Shtyhet gjykimi për dy vepra penale të korrupsionit ndaj zyrtarit të gjendjes civile në Mitrovicë

amiri
Author

Raporton: Amir BUNJAKU

Tetor 4, 2019

Mitrovicë – Ka dështuar të mbahet seanca e së premtes në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, ndaj të akuzuarit për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim i dokumentit zyrtar, Nezir Aliu.

Kjo pasi që i pandehuri Aliu, ka kërkuar që t`i caktohet nga gjykata një avokat sipas detyrës zyrtare, me ç` rast edhe i është aprovuar kjo kërkesë.

Mbrojtësi i caktuar, avokati Berat Peci, i ka propozuar gjykatës që ta shtyjë seancën për një datë tjetër me qëllim që t’i jepet kohë për analizimin e shkresave të lëndës.

“Duke marrë parasysh se tani kam materialin dhe meqenëse më duhet t`i analizoj materialet, kërkoj të shtyhet seanca”, ka thënë avokati Peci.

Këtë propozim nuk e ka kundërshtuar as prokurori i rastit, Naim Beka.

Kryetari i trupit gjykues, Avni Mehmeti, ka aprovuar propozimin e avokatit dhe ka caktuar seancën e radhës për 27 dhjetor 2019, në ora 10:00.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, aktakuzën ndaj Nezir Aliut e ka ngrtur më 28 shkurt 2019.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Aliu, akuzohet se më 13 maj 2015, në cilësinë e zyrtarit të gjendjes civile në Bistricë të Shalës së Bajgorës, kishte regjistruar NN personin, kinse Ali Sllakoviq, me shënime kinse i njëjti është banor i fshatit Rvatska, e ku nga zyrtarët e qendrës së regjistrimit në Lepostaviq, një person i tillë nuk ekziston nga ky fshat me këtë emër.

Me këtë, Aliu akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtarë”, nga neni 422 par.1 i KPRK-së.

Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, i pandehuri në cilësinë e zyrtarit të gjendjes civile në Mitrovicë, kishte falsifikuar dokumentin zyrtar, ashtu që i njëjti kishte nënshkruar dhe vulosur ekstraktin me numër personal, me kinse të dhëna të Ali Sallkoviq, e që ka rezultuar se i njëjti  me të dhëna si në këtë ekstrakt nuk figuron në Rvatska – Leposaviq.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “falsifikimi i dokumentit zyrtarë”, nga neni 434 par.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi