Shtyhet gjykimi në rastin ku paditësja kërkon nga Komuna e Prishtinës kompensimin e pagave jubilare

03.03.2021
Author

Raporton: Valentina SHAHINI – GRAJҪEVCI

Prill 8, 2021

Prishtinë – Të enjten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka dështuar të mbahet gjykimi në rastin ku paditësja Hava Bejta po kërkon nga Komuna e Prishtinës kompensimin e pagave jubilare dhe përcjellëse, në vlerë prej 1,238.86 euro.

Një gjë e tillë ka ndodhur pasi në seancën përgatitore nuk ka prezantuar përfaqësuesja e të paditurës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mungesën e përfaqësueses në fjalë, gjykatësi i rastit Hysni Ismajli ka deklaruar se e njëjta ka qenë e ftuar në mënyrë të rregullt, por mungesën nuk e ka arsyetuar.

Pas kësaj, gjykatësi Ismajli ka thënë se për shkak të mos dorëzimit të parashtresës mbi precizimin e kërkesëpadisë, seanca përgatitore duhet të shtyhet, në mënyrë që pala e paditur të deklarohet lidhur me të njëjtën.

Kështu, seanca përgatitore u caktua të mbahet me 19 prill 2021, në ora 10:00.

Ndryshe, sipas parashtresës mbi precizimin e lartësisë së kërkesëpadisë, paditësja po kërkon kompensimin e pagave jubilare dhe pagave përcjellëse në shumë prej 1,238.86 euro.

Sipas padisë të ushtruar më 22 nëntor 2019, paditësja po kërkon nga Komuna e Prishtinës, respektivisht Drejtoria e Arsimit, kompensimin e pagave jubilare dhe përcjellëse.

Bazuar në padi, paditësja është e punësuar pranë institucionit parashkollor “Dielli”, në pozitën e edukatores.

Në padi thuhet se, bazuar në Kontratën Kolektive, respektivisht në nenin 52 të kësaj kontrate parashihet e drejta e paditëses për kompensim i tri pagave jubilare me rastin e pensionimit.

Prandaj, mbi këtë bazë paditësja po kërkon nga gjykata që të aprovohet në tërësi padia dhe kërkesëpadia dhe të detyrohet e paditura që t’ia kompensoj pagat jubilare dhe përcjellëse. /BetimipërDrejtësi