Shtyhet gjykimi në rastin ku paditësi po kërkon anulimin e vendimit të ATK-së me të cilin kompania e tij ishte ngarkuar me tatim shtesë

IMG_8695
Author

Raporton: Aurela MERLAKU

Prill 28, 2021

Prishtinë – Ka dështuar të mbahet gjykimi në konfliktin administrativ, ku paditësi “N.T.SH PATRONI” po kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, anulimin e vendimit të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

Përfaqësuesi i paditësit, avokati Naim Spahiu i ka propozuar gjykatës që të shtyhet seanca meqenëse nuk kanë ndonjë provë lidhur me datën e pranimit të vendimit kontestues.

Me këtë rast, gjykatësi Fisnik Nuli me aktvendim e ka aprovuar propozimin e përfaqësuesit të palës paditëse, duke obliguar të njëjtin që në afat prej 15 ditësh të sjell dëshminë e pranimit të vendimit kontestues, për ta vlerësuar afatshmërinë e padisë.

Ndryshe, në këtë seancë nuk ka prezantuar pala e paditur, e cila me anë të një parashtrese kishte njoftuar gjykatën për mosprezencë, raporton “Betimi për Drejtësi”

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 25 maj 2021, në ora 10:30

Sipas padisë të ushtruar me 22 janar 2019, kompania “N.T.SH PATRONI” ka paditur ATK-në, me pretendimet për shkelje esenciale të Procedurës Administrative, konstatimit të gabuar të gjendjes faktike, si dhe aplikimit të gabuar të së drejtës materiale.

Sipas padisë-ankesës, ATK-ja kishte marrë vendim me të cilin kishte refuzuar ankesën e subjektit “N.T.SH PATRONI”, të cilën ankesë ky subjekt e kishte ushtruar për mospajtimin rreth raportit të lëshuar nga Inspektorati, pas vlerësimit me ri-kontrollin e kryer për periudhën 2014-2016, të ngarkuar me tatim shtesë.

Në vendim thuhet se tatimpaguesi vlerën e shpenzimeve vetanake nuk e ka trajtuar si të hyrë për qëllime të tatimit në fitim. /BetimipërDrejtësi