Shtyhet gjykimi në rastin ku një kompani po kërkon anulimin e vendimit të Doganës së Kosovës lidhur me koston e shpenzimeve të transportit

IMG_8697
Author

Raporton: Aurela MERLAKU

Prill 28, 2021

Prishtinë – Mungesa e palës paditëse ka bërë që të dështoj gjykimi i paraparë të mbahej të mërkurën në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Departamenti për Çështje Administrative, ku “SOLID” N.T.P po kërkon anulimin e vendimit të Doganës në lidhje me koston e shpenzimeve të transportit.

Gjykatësi i rastit, Fisnik Nuli deklaroi se nuk kishte dëshmi se paditësja ka pranuar ftesën për këtë seancë, ndërsa me fletëkthesë u vërtetua se ftesa i është përcjell gabimisht “Scrl Partners” dhe se nuk ka autorizim në shkresat e lëndës që i njëjti e përfaqëson paditësin.

Ndryshe, në këtë seancë ka prezantuar përfaqësuesi i Doganës së Kosovës, Blerim Pruthi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Seanca e radhës u caktua me 25 maj 2021, në ora 09:30.

Sipas padis së ushtruar më 24 janar 2019, “SOLID” N.T.P ka paditur Doganën e Kosovës, lidhur me anulimin e vendimit të lëshuar nga ky organ, me të cilin të njëjtit i është refuzuar  si e pabazuar.

Siç thuhet në padi ZD Hani i Elezit – Terminali kishte ngritur bazën doganore për shpenzimet e transportit nga 1,557.76 euro në 3,279,49 Euro.

Gjithnjë sipas padisë, paditësi pretendon se ky vendim është marrë në kundërshtim me dispozitat ligjore, procedurale dhe materiale dhe është bërë vërtetimi i gabuar i gjendjes faktike.

Sipas vendimit të Doganës së Kosovës paditësit i është refuzuar si e pa bazuar ankesa me arsyetimin se Zyra e Pranimit Qendror ka vepruar drejtë kur gjatë vlerësimit të mallit lëndor të deklaruar me anë të DUD-it ka ngritur bazën doganore duke llogaritur shpenzimet e transportit për mallin lëndor sepse subjekti ankimor kishte paraqitur vlera më të ulëta për shpenzimet e transportit të mallit se sa vlera reale. /BetimipërDrejtësi