Shtyhet gjykimi  ndaj Zyrtarit të Ekonomisë së Pyjeve në Viti, i cili akuzohet për korrupsion

IMG_0109
Author

Raporton: Teuta GASHI  

Shkurt 22, 2021

Gjilan – Ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj të akuzuarit Kadri Ismajli, njëherit Zyrtar i Ekonomisë së Pyjeve në Viti i cili akuzohet se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Shkak i dështimit të kësaj seance gjyqësore ishin problemet shëndetësore të kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Islam Thaçi, për çka ky i fundit nuk mori pjesë në seancën e së hënës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Seanca e ardhshme për këtë çështje juridiko penale do të mbahet kur të krijohen kushtet e përshtatshme për t’u mbajtur.

Kujtojmë që Gjykata Themelore në Gjilan, më 29 maj 2019 e kishte shpallur fajtor Ismajlin për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, dhe atë e kishte dënuar me gjashtë muaj burgim.

Po ashtu, gjykata e kishte obliguar Ismajlin që Ekonomisë së Pyjeve në Viti, t’ia kompensojë dëmin në shumë prej 600 euro, në afat prej 15 ditësh, pasi aktgjykimi të merr formën e prerë, nën kërcënimin e përmbarimit të dhunshëm.

E pakënaqur me aktgjykimin e Themelores, mbrojtja e Ismajlit ka ushtruar ankesë në Apel, nga e cila kishte kërkuar që të ndryshojë aktgjykimin dhe ta lirojë nga akuza Ismajlin, apo që ta anulojë tërësisht aktgjykimin e shkallës së parë dhe lëndën ta kthej në rigjykim.

Gjykata e Apelit, ka shqyrtuar ankesën si dhe shkresat e lëndës, si dhe sipas detyrës zyrtare, ka vlerësuar se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, sepse nuk janë paraqitur qartë dhe në mënyrë të plotë se cilat fakte dhe për çfarë arsyesh i konsideron të vërtetuara e të cilat ndikojnë edhe në vërtetim të plotë të gjendjes faktike, duke e kthyer rastin në rigjykim.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, i pandehuri Kadri Ismajli, po akuzohet se gjatë periudhës dhjetor 2016, deri në janar të vitit 2017, në cilësinë e personit zyrtar, atë të shefit të Ekonomisë së Pyjeve në Viti, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare.

Sipas aktakuzës, Ismajli, gjatë kësaj periudhe, u ka shitur dru qytetarëve të Vitisë, ashtu që siç thuhet në aktakuzë, personit Pjetër Stoshiq i ka shitur katër metra dru në vlerë prej 100 eurosh, kurse Afrim Rekës e Skender Shemsiut nga dhjetë metra dru secilit, në vlerë prej 250 eurosh, e të cilët dru Ekonomia e Pyjeve në Viti, i kishte lajmëruar në polici si të vjedhura.

Me këto veprime, ai ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi