Shtyhet gjykimi ndaj zyrtarit që akuzohet se e dëmtoi buxhetin e Komunës së Pejës 30 mijë euro

7 nentor Foto
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Nëntor 8, 2018

Pejë – Mungesa e prokurorit Haxhi Sinanaj u bë shkak që të mos mbahet seanca e shqyrtimit kryesor, në rastin ku Haki Kartallozi po akuzohet se në cilësi të zyrtarit të Komunës së Pejës e ka keqpërdorë detyrën zyrtare.

Prokurori Sinanaj, mungesën e tij në seancën e cila ishte paraparë të mbahej të enjten në Gjykatën Themelore në Pejë, e kishte arsyetuar përmes parashtresës së dërguar në gjykatë, ku thuhej se i njëjti gjendet në udhëtim zyrtar në Budvë të Malit të Zi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përveç prokurorit të çështjes, në këtë seancë mungoi edhe kryetarja e trupit gjykues, Lumturije Muhaxheri, ku në mungesë të saj, seanca u udhëheq nga anëtari i trupit gjykues, Sami Sharraxhiu.

Në seancën e sotme po ashtu nuk prezantuan i akuzuari Kartallozi dhe mbrojtësi i tij, avokati Gëzim Kollqaku.

Si pasojë e këtyre mungesave, seancat e parapara për të enjten dhe të premten u shtynë, kurse ato të radhës u caktuan për 4 dhe 5 dhjetor 2018, prej orës 10:00.

Ndryshe, në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur me 8 shkurt të këtij viti, i akuzuari Kartallozi ishte deklaruar i pafajshëm lidhur me aktakuzën e ngarkuar nga ana e Prokurorisë Themelore në Pejë.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Haki Kartallozi, prej 14 korrikut 2016, e në vazhdimësi deri më 18 tetor të atij viti, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, si person përgjegjës për komunitete në Komunën e Pejës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, ka tejkaluar autorizimet ligjore.

Sipas aktakuzës, Kartallozi, përmes disa programeve kompjuterike është futur në fjalëkalimet e zyrtarit për komunitete Gani Toska dhe zyrtares për tatim në pronë Makfirete Limani dhe nga sistemet e tyre kompjuterike ka arritur që të shlyej obligimet tatimore të dëshmitarit Besim Gashi dhe disa tatimpaguesve të tjerë, duke përfituar për vete në mënyrë të kundërligjshme.

Ai akuzohet se buxhetit të Komunës së Pejës i ka shkaktuar dëme në shumën prej 30.000 euro.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer vepër penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK-së./Betimipërdrejtësi