Shtyhet gjykimi ndaj vëllezërve të akuzuar për uzurpim të pronës te “Kroi i Bardhë”

Pallati 2
Author

Raporton: Justina FRROKAJ

Qershor 29, 2020

Prishtinë – Ka dështuar të mbahet seanca e së hënës ndaj vëllezërve Tasim, Besim e Milaim Krasniqi, të akuzuar për uzurpimin e pronës së të dëmtuarave, Ifeta dhe Zineta Nikoçeviq.

Kjo pasi që i akuzuari Besim Krasniqi, përmes mbrojtësit të tij, avokatit Naim Rudari, ka njoftuar gjykatën se nuk gjendet në Kosovë dhe nuk mund të jetë i pranishëm në seancës e së hënës.

Po ashtu, në këtë seancë kanë munguar edhe përfaqësuesi i aktakuzës dhe dy të akuzuarit e tjerë, Tasim dhe Milaim Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

E lidhur me mungesën e të akuzuarve kanë të reaguar të dëmtuarat Nikoçeviq, të cilat janë shprehur se kanë rrezikuar jetën në kohë pandemie të vijnë në gjykatë ndërsa të akuzuarit Krasniqi po mungojnë që lënda të parashkruhet.

Gjykatësja e çështjes, Lumnije Krasniqi ka njoftuar palët e pranishme se në mungesë të kushteve ligjore, seanca shtyhet për 20 korrik 2020, në ora 13:30.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 14 mars 2019, thuhet se në nëntor 2018, në Prishtinë, të akuzuarit Krasniqi, në mënyrë të kundërligjshme kanë uzurpuar ngastrën kadastrale në vendin e quajtur “Kroi i Bardhë”.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit Krasniqi kishin vënë rrethoja-shtylla vertikale të betonit, rrethojë teli dhe kishin vendosur dërrasa të pllakës në një depo edhe pse sipas certifikatës mbi të drejtat e pronës së paluajtshme, kjo paluajtshmëri është pronë e të dëmtuarave, Ifeta dhe Zineta Nikoçeviq.

Me këtë, prokuroria i akuzon që në bashkëveprim, kanë kryer veprën penale “uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme”, nga neni 332, paragrafi 1, lidhur me nenin 31, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërsa, të akuzuarit Krasniqi, po ashtu akuzohen se nuk i janë bindur aktvendimit të ish-Gjykatës Komunale në Prishtinë, me të cilin është caktuar masa e sigurimit, ashtu që u është ndaluar të akuzuarve, tjetërsimi, ngarkimi dhe disponimi i paluajtshmërisë.

Lidhur me këto veprime, sipas aktakuzës, ata akuzohen se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale, mospërfillja e gjykatës nga neni 401, paragrafi 1, lidhur me nenin 31, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi