Shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarve se duke bërë gara me vetura shkaktuan aksidentin me fatalitet në Podujevë

Foto nga seanca, 16 shtator, rrezikim trafiku
Author

Raporton: Florentina OSMANI

Shtator 16, 2019

Podujevë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, të hënën, ka dështuar të mbahet seanca fillestare ndaj të akuzuarve rrezikim të trafikut publik, Leotrim Muqiqi dhe Leondrit Zhegrova.

Ata akuzohen se në mars të këtij viti, në fshatin Shtedim të Podujevës, kanë shkaktuar vdekjen e një personi, si pasojë e goditjes me veturë, pas garës që kishin zhvilluar me vetura.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Zhegrova, pasi kishte tejkaluar të akuzuarin tjetër Muqiqi, ka humbur kontrollin mbi automjetin e tij, ka goditur murin e fabrikës së betonit “Bini”, nga ku më pas është goditur një person, i cili pas lëndimeve ka ndërruar jetë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Seanca e së hënës nuk ka arritur të  mbahet, pasi shtyrjen e saj e ka kërkuar avokatja e të akuzuarit Zhegrova, Teuta Zhinipotoku, pasi sipas saj, prokuroria nuk e ka pajisur mbrojtjen me shkresat e lëndës edhe përkundër kërkesës së saj.

“Nuk e kam pranuar ekspertizën dhe CD-në, e cila gjendet në shkresat e lëndës nga prokuroria, përkundër që kam bërë kërkesë për këto dy prova, andaj konsideroj se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për t’u mbajt seanca”, ka deklaruar avokatja Zhinipotoku.

Me propozimin e avokates, është pajtuar edhe prokurori Rexhep Maqedonci dhe mbrojtësi i autorizuar i të akuzuarit Muqiqi, avokati Naser Sopjani.

Ky propozim është aprovuar edhe nga gjykatësi i çështjes Minir Hoti, i cili shqyrtimin e radhës e ka caktuar për 18 shtator 2019, në ora 13:00, duke obliguar prokurorinë që t’i pajisë mbrojtësit e autorizuar me shkresat e kërkuara.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 15 korrik 2019, Leotrim Muqiqi dhe Leondrit Zhegrova, akuzohen se më 9 mars 2019, rreth orës 14:15, në rrugën nacionale Podujevë-Merdare, në fshatin Shtedim, tek fabrika e betonit “Bini”, kanë shkelur Ligjin mbi Trafikun Publik.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Muqiqi, derisa ishte duke e drejtuar automjetin e tipit “Golf IJ”, me shpejtësi 162km/h dhe derisa i akuzuari Zhegrova, ishte duke drejtuar automjetin  e tipit “Golf”,  ka ndërmarr veprimin e tejkalimit, duke humbur kontrollin mbi mjetin dhe duke dal jashtë rrugës në anën e majtë, është shkëputë nga dheu dhe ka fluturuar në ajër, pastaj në anën e majtë ka goditur murin e betonit, ku nga kjo goditje vetura e tij, ndahet në dy pjesë dhe me pjesën e përparme vazhdon të lëvizë përpara.

Siç thuhet në aktakuzë, me veturën e ndarë në gjysmë, ka goditur tani të ndjerin J.Z, duke e lënë të vdekur në vend, i cili në ato momente ishte duke qëndruar në oborrin e fabrikës.

Gjithnjë, sipas aktakuzës, në këtë rast, lëndime të rënda trupore kishte pësuar edhe Y.I.

Me këtë, secili veç e veç, akuzohen se kanë kryer veprën penale “rrezikim i trafikut publik”, nga neni 378, par.9 dhe 8 lidhur me par.6 dhe 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi