Shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarit se lajmëroi rrejshëm vjedhjen e veturës së tij

48364100_729411914106988_4082751462961053696_n (4)
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Mars 14, 2019

Gjakovë – Për shkak të mungesës së të akuzuarit për lajmërim të rremë, Fisnik Gashi ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar, e paraparë që të mbahet të enjten, në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

Gjykatësja Ilirjana Hoti deklaroi se i akuzuarit Gashi ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo nuk është  kthyer fletëdërgesa.

Ajo deklaroi se ndaj tij do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim nga Stacioni Policor në Gjakovë.

Në seancë ka munguar edhe i dëmtuari Ardi Martin Prendi, i cili ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo nuk është kthyer fletëdërgesa.

Ndryshe, në seancë ka qenë i pranishëm prokurori Bajram Kryeziu, ndërsa seanca e radhës është caktuar që të mbahet më 2 prill 2019, në ora 10:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 18 shtator 2018, Fisnik Gashi po akuzohet se më 25 maj 2018, rreth orës 22:00, në Stacionin Policor në Gjakovë bën lajmërim të rremë tek personi zyrtar, duke e ditur se personi i tillë nuk është kryerësi.

Siç thuhet në aktakuzë, në atë mënyrë që i pandehuri në datën e lartcekur shkon në Stacionin Policor dhe deklaron rrejshëm se gjoja vetura e tij e markës “BMW”, në vlerë prej 25.000 euro, i ishte vjedhur, gjoja që në mbrëmje e kishte parkuar para shtëpisë, ndërsa në mëngjes kishte vërejtur se vetura nuk ishte, e që në fakt veturën në fjalë ia kishte shitur personit Emilian Toska nga Shqipëria, në vlerë prej 5.000 euro, si pasojë e kësaj deklarate ka pësuar edhe i dëmtuari Ardi Martin Prendi nga Shqipëria, i cili është akuzuar për vjedhje si pasojë e deklaratës së të pandehurit.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “lajmërim apo kallëzim i rremë” nga neni 390 parag.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi