Shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarit për legalizim të përmbajtjes së rreme

20210113_100003
Author

Raporton: Hajrije KRASNIQI

Janar 13, 2021

Malishevë – Pasi i dëmtuari S.M, ka vdekur është shtyrë seanca gjyqësore e paraparë të mbahet të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, ndaj të akuzuarit për legalizim të përmbajtjes së rreme, Sadri Mazreku.

Gjyqtari i çështjes, Njazi Morina, deklaroi se  i dëmtuari në këtë rast ka vdekur.

“Gjykata me anë të një parashtrese do ta njoftojë bashkëshorten e të ndjerit S.M, se në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë është duke u zhvilluar një procedurë penale ku i dëmtuari, i ndjeri S.M, ka qenë në cilësinë e të dëmtuarit”, tha gjyqtari Morina, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, në gjykatë prezent ishte i akuzuari Sadri Mazreku me mbrojtësin e tij, avokatin Naser Peci, si dhe prokurori Armend Zenelaj.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua të mbahet më 31 mars 2021, në ora 10:00.

Sipas aktakuzës së ngritur më 19 shkurt 2015, Prokuroria Themelore në Gjakovë, të akuzuarin Sadri Mazreku e ngarkon me veprën penale “legalizimi i përmbajtjes së rreme”, nga neni 403, paragrafi 1 të KPRK-së.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Sadri Mazreku, më 3 qershor 2014, në Malishevë, ka vënë në lajthim Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, saktësisht gjyqtarin Haki Kryeziu, i cili vërteton një çështje të pavërtetë me aktgjykimin e datës 3 qershor 2014, me të cilin gjykata refuzon kërkesëpadinë e paditësve Sali Rrustem, Azem, Hysen, Miradije dhe Naxhije Hamz Mazreku, nga Malisheva, ndaj të paditurve Rahim, Sylejman, Musli, Januz, Nuhi, Ramadan, Nazmi, Mivledin, Sadri dhe Hamdi Mazreku.

Sipas aktit akuzues i akuzuari Sadri Mazreku, ka prezantuar dokumentin e rrejshëm se ka ekzistuar një person me emrin Rrustem Mazreku që ka pasur në pronësi  ngastrën kadastrale në sipërfaqe prej 47 ari në Malishevë e që pastaj e ka trashëguar te pala e paditur, e që gjykata është vënë në lajthim duke vërtetuar pronësinë sipas trashëgimisë, edhe pse kjo pronë ka qenë e familjes të të dëmtuarit S.M, tani i ndjerë. /BetimipërDrejtësi